Pasuria sekrete e Matteo Messina Denaro-s: Operacion ndërkombëtar antimafia, sekuestro mbi 200 milionë euro
Nga Alba Kepi/
PALERMO – Një mega operacion ndërkombëtar kundër pastrimit të parave, i koordinuar nga Drejtoria Distriktuale Antimafia (DDA) e Palermos dhe Guardia di Finanza, ka goditur rrjetin financiar të lidhur me bosin mafioz Matteo Messina Denaro.
Sipas autoriteteve italiane, janë ekzekutuar masa arresti me burg për tre persona dhe është urdhëruar sekuestrimi i pasurive, kompanive dhe aseteve financiare me vlerë mbi 200 milionë euro.
Operacioni po zhvillohet paralelisht në Itali dhe në disa shtete të tjera, përfshirë Andorrën, Gjibraltarin, Ishujt Kajman, Luksemburgun, Zvicrën, Libanin, Principatën e Monakos dhe Spanjën, në qytetet Malaga, Marbella, Benahavis dhe Puerto Banús. Hetimet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjyqësore dhe policore ndërkombëtare.
Sipas prokurorisë, hetimet kanë zbuluar një perandori financiare të ndërtuar përmes riinvestimit të fitimeve nga trafiku ndërkombëtar i drogës, aktivitet që dyshohet se zhvillohej që nga vitet ’80 nën mbrojtjen e “Cosa Nostra”-s së Trapani-t dhe në interes të vetë Matteo Messina Denaro-s.
Autoritetet italiane kanë njoftuar se sot, më 28 maj 2026, në orën 11:00, do të mbahet një konferencë për shtyp në Komandën Provinciale të Guardia di Finanza në Palermo, ku do të marrin pjesë Prokurori Kombëtar Antimafia dhe Antiterrorizëm Giovanni Melillo dhe Prokurori i Palermos Maurizio de Lucia.