Bujqësia në kolaps/ Sharka: Fondet shkojnë për zyrat e shtetit...

I ftuar në studion e “Kafe Shqeto”, Eduart Sharka, Drejtues i Departamentit të Bujqësisë në PD, foli mbi situatën dramatike të bujqësisë shqiptare, ku skemat e reja të subvencioneve po rezultojnë të jenë thjesht propagandë dhe jo mbështetje reale për fermerët.

Ai u shpreh se ndryshimet e fundit, si ulja e pragut të gjedhëve nga 10 në 5 krerë dhe rritja e minimalizuar e subvencionit, nuk japin asnjë impakt real, ndërkohë që pragjet burokratike dhe kufiri i tokës prej 3 hektarësh përjashtojnë shumicën e fermerëve nga përfitimi.

Sharka theksoi se këto politika po detyrojnë fermerët të braktisin tokat, duke krijuar hapësirë për oligarkët dhe projekte të mëdha energjetike, dhe paralajmëroi një rrëzim të prodhimit vendas dhe varësi të rritura nga importet.

Në fjalën e tij, ai denoncoi një mungesë të qartë vullneti politik për zhvillimin e sektorit, duke e cilësuar menaxhimin e fondeve si një “lojë me pika” që nuk shërben për fermerët, por vetëm për të mbajtur gjallë zyrat dhe burokracinë shtetërore.

Pjesë nga deklarata:

Për të ushqyer këtë diskurs publik kanë bërë disa modifikime që janë, disa janë me shumë vonesë, disa janë të paefektshme për dobinë e skemës, si për shembull kanë ulur… Deri dje, deri vitin e kaluar, ti nuk merrje, po të kishe nën 10 lopë, nuk merrje atë subvencionin 100 mijë lekë të vjetra për krerë. Sivjet e kanë ulur këtë prag, e kanë çuar në 5 krerë. E kanë ulur edhe për të imtat, kanë shtuar një subvencion për dosat. Kanë rritur subvencionin nga 100 mijë lekë dhe e kanë çuar 120 mijë lekë të vjetra për gjedh, dhe propaganda më e madhe ishte që thanë: do mbështesim, do incentivizojmë të rinjtë që merren me bujqësi.

Dhe në fakt, po të pyesje deri dje, pa dalë udhëzimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financës që sqaron implementimin e skemave, do të thoje: po, që është një risi incentivimi i të rinjve në bujqësi, sepse është shumë i domosdoshëm, për faktin se në bujqësi tani po punon një brez i tretë në fundin e kufirit biologjik për të punuar, dhe është e nevojshme shumë ripërtëritja e brezave. Por në fakt, kur pashë udhëzimin, ka qenë e njëjta gjë.

Deri vjet, në atë pikëbarazhin e vlerësimit të aplikimeve, mosha: po të ishe nën 40 vjeç, merrje 60 pikë; kurse tani merr 70 pikë. Pra, kanë shtuar 10 pikë, dhe kjo është i gjithë sfumimi i propagandës, sepse presupozohej të kishte një fond të veçantë për të rinjtë, të kishte procedura të lehtësuara, të kishte incentiva që të nxisnin angazhimin e të rinjve në bujqësi, siç i ka Bashkimi Evropian apo vendet fqinje. Por në fakt rezultoi në këtë 10 pikëshin që thashë unë në vlerësimin e investimit.

Pastaj kanë bërë atë tavanin që ka kontradikta. Në çdo improvizim që kryejnë se në fakt kryejnë improvizime nuk ka asnjë lloj studimi të mirëfilltë të bazuar… sepse hoqën skemën e naftës me pretendimin që, mbasi u dështua për 7-8 vjet të implementohej, shkon tek fermerët që nuk punojnë tokën, por që janë vetëm pronarë të tokës. Tani do ta japin këtë mbi 3 hektarë, që është një gafë e madhe, sepse mesatarja e fermës tek ne është 1.4 hektarë. Të lëmë pastaj 71501-shin se sa të vogla janë ngastrat.

Por mesatarja e fermës aktualisht… edhe ti të vësh kufirin 3 hektarë për të dhënë nga 100 mijë lekë të vjetra për hektar, unë besoj që shumë nga fermerët, siç e thashë zotëria, nuk do të mbajnë mundimin as të aplikojnë, sepse nuk ia vlen letrat. Nën dokumenta ishin baza, pastaj ka dokumenta specifike për këto 8 masa që do të aplikohen online, pastaj do shpallin listën dhe do kërkojnë dokumenta të tjera. Pra, një kalvar i gjatë për të marrë 300 mijë lekë për 3 hektarë, 100 mijë lekë për hektar, është e pajustifikuar.

Sepse edhe ata që e punojnë, si zotëria që punonte 6 hektarë, duhet të paraqesin kontrata qiraje. Pastaj kanë vënë një kufi: mbi 10 hektarë merr gjysmën e shumës së tarifës që marrin të tjerët. Problemi është… ka një konfuzion total. Ndërkohë që thonë duhet të koperojnë fermerët, dhe qëllimi kryesor i koperimit është rritja e fermës, sepse rritja e fermës ul kostot e prodhimit, bën transaksione më shumicë, dhe ul çmimet e blerjes së inputeve dhe të tjerë. Këto janë impaktet e koperimit, që është zmadhimi i fermës.

Pastaj, kur bëjnë kriteret sivjet thonë: në rast se ke më shumë se 50 krerë lopë apo gjedh, ti nuk do të marrësh 120 mijë lekë për krerë, po do të marrësh gjysmën, 50%. Pra, nuk lejojnë zmadhimin e fermës. Është një sjellje kontradiktore.

Por unë e thashë që në fillim, kur më pyetët, e gjitha kjo është një lojë: këto janë fonde me pika, që janë lëmoshë për fermerët, por në fakt qëllimin e vërtetë e kanë të mbajnë zyrat e shtetit. Për shembull, vitin e kaluar, për të shpërndarë këto thërrime, paguan diku te 9 milionë euro për të mbajtur këto zyrat e agros, që marrin 30% të fondit. Vitin e kaluar ishte 9 milionë euro që paguheshin këto zyrat e agros për të pritur aplikimet, për të bërë gjoja disa verifikime, për të bërë selektimin, për të shpallur fituesit, dhe pastaj, në momente të caktuara, i përdorin për qëllime elektorale, duke bërë zgjedhje selektive të fermerëve – që disa ua bëjnë dokumentet vetë nëpër zyrat e shtetit, nëpër këto zyrat e agros apo në zyrat e bashkive, kurse të tjerëve u thonë: plotëso këtë e plotëso atë, i ecin lart e poshtë, pra nuk formalizohet dot, ti je i formalizuar i thonë, nuk futesh dot, e të tjera e të tjera. Është shumë e vështirë për këta fermerë.

Flavio, ne e kemi thënë: është një mungesë vullneti për të ndryshuar bujqësinë. Nuk do shkencë të madhe për ta ndryshuar; është një sektor që e ndien politikën e mirë dhe financimin dhe investimin, por ka një mungesë vullneti për ta zhvilluar. Kjo mund të ketë shumë arsye; unë e kam thënë dhe herë tjetër te ju. Arsyeja është që këta duan t’i mërzisin fermerët, t’i përzënë dhe t’i blejnë tokat pastaj miqtë e tyre për 5 lekë, dhe t’i përdorin për fotovoltaikë dhe për këto fermat e tjera.

Largimi i fermerëve është me trend shumë të disfavorshëm. Gati 10 deri në 15% e fermerëve e braktisin tokën çdo vit. Dhe toka e braktisur pastaj shitet lirë. Për mua, ky është qëllimi. Pastaj ka një qëllim tjetër: krijojnë varësi nga produktet e importit. Importet e ushqimeve i kryejnë miqtë e qeverisë në miliona euro, raporti është 1 me 3 tani, që ka trend të rriten importet, krijohet varësia. Edhe pastaj marrin dhe 20% TVSH në doganë dhe mbushin buxhetin e shtetit, dhe pastaj të gjithë shqiptarët e dinë se ku shkon buxheti, shpenzimet e buxhetit të shtetit.

Pra, është… derisa nuk ka ndryshim vullneti, nuk pritet. Të gjitha këto skema, këto ndryshime të vogla – nga 10 krerë e dërgojmë në 5 krerë, jo, po shtojmë dosat, sivjet jo, po e rrisim për krerët e gjedhëve nga 10 mijë në 20 mijë, jo, po sivjet do vëmë kufirin 3 hektarë e të tjerë – janë modifikime që janë improvizime për të mbajtur gjallë këtë diskurs, “gjasme po japim fonde për bujqësinë”. E vërteta është që nuk ka vullnet, dhe e vetmja zgjidhje është ndryshimi i kësaj qeverie. Se programi ekziston.