'Skemë vjedhjeje'/ Fermeri shpërthen ndaj qeverisë: Na përjashtuan nga subvencionet, po na kërkojnë kartat e të vdekurve
I ftuar në studion e “Kafe Shqeto”, fermeri nga Maliqi, Julian Guri, u shpreh se bujqësia shqiptare është lënë në mëshirë të fatit dhe se fermerët po përballen me një skemë subvencionesh që është ngritur për të favorizuar klientelën dhe jo njerëzit që punojnë tokën.
Duke denoncuar mungesën totale të mbështetjes nga shteti, Guri deklaroi se prej vitesh kultivon qindra dynymë tokë me patate, qepë, grurë, misër e fasule, por nuk ka përfituar asnjë lek subvencion.
Fermeri nga Maliqi ngriti akuza të forta ndaj institucioneve, duke e cilësuar procesin absurd dhe të pamundur për fermerët e zakonshëm. Ai tha se aplikimet bllokohen nga kërkesa burokratike të pajustifikueshme, deri në pikën ku fermerëve u kërkohen dokumente identifikimi të personave që kanë ndërruar jetë. “Çfarë të bëjmë, t’i zhvarrosim të vdekurit për të marrë kartat?”, u shpreh ai me revoltë.
Guri theksoi se fermerët shqiptarë po falimentojnë përballë konkurrencës së padrejtë dhe kostove të larta të prodhimit, ndërsa qeveria, sipas tij, vazhdon propagandën larg realitetit të fshatit. Ai i bëri thirrje Ministrit të Bujqësisë të zbresë në terren dhe të përballet me gjendjen dramatike që po kalon sot bujqësia në zonën e Korçës dhe në gjithë vendin.
Pjesë nga deklarata:
Pothuajse zero. Domethënë s’kemi asnjë lloj subvencioni, të tërë na mashtrojnë. Kjo është skemë për të vjedhur, nuk është skemë për fermerët. Ne e cilësojmë si skemë për të vjedhur nga qeveritarët. Nuk na kanë dhënë asnjë lloj informacioni. Nuk e di pse e shkrijnë atë drejtorinë e bujqësisë këtu në Korçë, nuk po e marr vesh njëherë. Asnjë lloj informacioni.
Nuk dalim dot fitues, sepse nuk kemi kartat e identitetit të njerëzve; njerëzit na kanë vdekur. Tani, çfarë të bëjmë, të shkojmë t’i zhvarrosim? T’u marrim kartat?
Po e lanë 30 dynym e lart. As ata me 30 dynym nuk po i marrin, as ne me 500 dynym nuk po i marrim dot subvencionet, sepse e bënë skemën në atë lloj mënyre për të vjedhur. Po e kuptoni çfarë po bëjnë?
600 dynym, 60 hektarë. Jo, jo vetë, vetë, vetë. Domethënë çajmë vetë, por s’na lënë as vend të fshihemi dhe na godasin shumë. Për arsye se janë të tërë me subvencione. Ne nuk i fitojmë dot. Le të vijë ai ministri t’i bëjë kartat, në qoftë se është i zoti, që unë t’i fitoj. Ta provojë njëherë t’i bëjë dot kartat në atë lloj mënyre që i kanë lënë ata. S’di çfarë të them unë.
Po është shumë e vështirë, për arsye se na godasin ata. Pse është muhabeti? Na godasin sepse s’na lënë. Po na konkurrojnë te pjesa e çmimit, sepse janë të tërë me subvencione. Dhe do t’i bëj një thirrje atij ministrit: ato dy orë që përgatitet të kollaroset, le të dalë këtej nga Korça të na shikojë njëherë çfarë bëhet. Mos të kollaroset, le të vijë sportiv këtej njëherë, se s’kemi nevojë për kollare.
Patate, qepë, grurë, misër, të gjitha, fasule… nga të gjitha. Domethënë nuk marr asnjë lek. Le të më nxjerrin që unë kam marrë një lek nga shteti dhe le të më varin në mes të Maliqit, në qoftë se unë kam marrë një lek subvencion, me 600 dynym.
Nga 100 lekë lëvizin, 100 lekë sillen e lëvizin. Ata që marrin subvencione, ne i ulim dot, sepse s’kemi subvencione.
10 lekë për kile. Që edhe daprat i kemi në superstratosferë.
Nuk e di, na prishën nga mendtë.