Detajet nga takimi Berisha-De Rosa në PD/ Doda: Rikthim i standardeve europiane në Shqipëri!
Kryetari i PD-së në Romë dhe Koordinatori i ‘Forza Italia’ për Italinë, Bardhok Doda ka zhvilluar një sërë takimesh intensive dhe bashkëpunimi mes Partisë Demokratike dhe Forza Italia në Itali.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Doda ka dhënë detaje nga takimet që ka zhvilluar në Itali, të cilat u finalizuan me vizitën e Senatorit italian, Raffaele De Rosa në Tiranë, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, Dr. Aniello Iacomino dhe Dr. Francesca Marino.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, delegacioni i Forza Italia zhvilloi takime me përfaqësues të Partisë Demokratike, e cila kulmoi me liderin e opozitës shqiptare, Sali Berisha, ku së bashki me miqtë italianë ngritën shqetësimet mbi gjendjen e demokracisë në Shqipëri dhe rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për rikthimin e standardeve europiane në vend.
Gjithashtu senatori italian dhe bashkëpunëtorët e tij, i uruan liderit të PD rizgjedhjen në referendumin e fundit brenda partisë dhe shprehën angazhim për të intensifikuar bashkëpunimin e ndërsjellë.
Statusi:
Një javë intensive pune, takimesh dhe bashkëpunimi politik mes Partisë Demokratike dhe miqve tanë të Forza Italia në Itali.
Ky angazhim nisi në Romë, me një takim shumë të rëndësishëm që pata me mikun tim dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me Senatorin e Republikës Italiane, Raffaele De Rosa, përfaqësues i Forza Italia dhe anëtar i Komisionit për Çështjet e Jashtme dhe të Mbrojtjes në Senatin Italian, ku u diskutua mbi marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë, situatën politike në vendin tonë dhe sfidat që përballet demokracia shqiptare.
Në këtë takim morën pjesë edhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, Dr. Aniello Iacomino dhe Dr. Francesca Marino, me të cilët ndamë mendime dhe shqetësime mbi realitetin politik dhe institucional në Shqipëri, si edhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes Partisë Demokratike dhe Forza Italia.
Pas këtij takimi në Romë, pata kënaqësinë t’i ftoj miqtë italianë për një vizitë në Shqipëri, vizitë që u zhvillua gjatë këtyre ditëve në Tiranë dhe që përfshiu një sërë takimesh të rëndësishme politike dhe institucionale.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, delegacioni i Forza Italia zhvilloi takime me përfaqësues të Partisë Demokratike, mes tyre edhe me deputeten dhe anëtaren e Kryesisë së PD-së, Ina Zhupa, ku u diskutua mbi situatën politike, proceset demokratike dhe sfidat europiane të Shqipërisë.
Kulmi i kësaj vizite ishte padyshim takimi me liderin e opozitës shqiptare, Prof. Dr. Sali Berisha, i cili ndau me miqtë italianë shqetësimet mbi gjendjen e demokracisë në Shqipëri dhe rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për rikthimin e standardeve europiane në vend.
Miqtë italianë i uruan liderit të PD rizgjedhjen në referendumin e fundit brenda partisë dhe shprehën angazhim për të intensifikuar bashkëpunimin e ndërsjelltë.
Ky bashkëpunim dhe këto ura komunikimi me partnerët tanë të Forza Italia janë një vlerë e shtuar për shqiptarët në Itali dhe për forcimin e marrëdhënieve politike mes dy vendeve tona.
Mirënjohës për mbështetjen, miqësinë dhe vëmendjen që miqtë italianë tregojnë ndaj Shqipërisë dhe demokratëve shqiptarë.
Puna vazhdon…!