Një francez kundër PSG-së: Nuk do ta fitojë Champions-in, Arsenali do ta shkatërrojë!

Ish-futbollisti francez, Robert Pirès, është shprehur i bindur se Paris Saint-Germain nuk do të arrijë të triumfojë në finalen e UEFA Champions League kundër Arsenalit.

Madje, sipas ish-mesfushorit të njohur, skuadra pariziene do të pësojë një humbje të rëndë ndaj londinezëve në sfidën e madhe që do të zhvillohet në Budapest.

“PSG nuk do ta fitojë trofeun, pikë. Kam vënë re se lojtarët parizienë kanë shumë më pak uri për fitore. Ata janë shpallur kampionë të Francës dhe do të mbërrijnë në finale paksa tepër të sigurt në vetvete”, deklaroi Pirès për Canal+.

Sipas tij, Arsenali do të krijojë shumë probleme për francezët dhe do të shënojë disa gola në finale. “Do të vendosen në vështirësi nga anglezët dhe do të pësojnë shumë gola nga lojtarët e Arsenalit. Për këtë arsye PSG jo vetëm që nuk do të fitojë, por do të pësojë një disfatë”, shtoi ai.

Deklaratat e Pirès lidhen edhe me të kaluarën e tij tek Arsenali, ku ishte një nga figurat kryesore të skuadrës nga viti 2000 deri në 2006, duke regjistruar 284 paraqitje dhe 84 gola me fanellën e “Topçinjve”.

Gjithashtu, ish-kampioni i botës dhe i Europës ka luajtur edhe për Marseille, rivali historik i PSG-së, çka e bën edhe më të fortë qëndrimin e tij kundër klubit parizien.