FIFA nën hetim në SHBA për shitjen e biletave të Botërorit 2026
FIFA është vënë nën hetim në Shtetet e Bashkuara për mënyrën e shitjes së biletave të FIFA World Cup 2026, pas ankesave të shumta për çmime tepër të larta dhe probleme me vendet në stadium.
Shtetet e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit kanë nisur zyrtarisht një hetim, duke kërkuar sqarime nga FIFA lidhur me procesin e biletarisë për turneun që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.
Hetimi u bë publik nga prokuroret e përgjithshme të dy shteteve, Letitia James dhe Jennifer Davenport. Në deklaratën e përbashkët thuhet se veprimi vjen pas raportimeve mediatike që sugjerojnë se tifozët mund të jenë mashtruar për vendndodhjen reale të vendeve që kishin blerë.
Sipas autoriteteve amerikane, deklaratat publike të FIFA-s dhe mënyra e menaxhimit të shitjes së biletave mund të kenë ndikuar edhe në rritjen e madhe të çmimeve.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me tetë ndeshjet që do të zhvillohen në ‘MetLife Stadium’, përfshirë edhe finalen e madhe të 19 korrikut. Dyshohet se disa tifozë kanë marrë vende të kategorive më të ulëta sesa ato që kishin paguar, duke përfunduar në pozicione më të këqija në stadium.
Kjo nuk është hera e parë që FIFA përballet me kritika për këtë çështje. Edhe prokurori i përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, kishte kërkuar më herët sqarime për “praktika potencialisht mashtruese”, pas një investigimi të publikuar nga mediet amerikane.
Ndërkohë, organizata Football Supporters Europe ka akuzuar FIFA-n për “zhvatje” dhe “tradhti ndaj tifozëve”, për shkak të çmimeve që konsiderohen jashtëzakonisht të larta.
Nga ana e saj, FIFA është mbrojtur duke deklaruar se hartat e stadiumeve të paraqitura gjatë procesit të blerjes ishin vetëm “indikative” dhe mund të ndryshonin.