Marotta: Bastoni nuk largohet nga Interi, tani dua Championsin
Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka konfirmuar se Alessandro Bastoni do të vazhdojë të jetë pjesë e zikaltërve edhe sezonin e ardhshëm, duke qetësuar tifozët pas zërave për interesimin e Barcelona.
“Besoj se tifozët mund të flenë të qetë për të ardhmen e Bastonit. Interi nuk është një klub që dëshiron të shesë lojtarët e tij. Nëse dikush largohet, ndodh vetëm sepse lojtari e kërkon vetë. Bastoni nuk ka shprehur asnjëherë dëshirën për t’u larguar dhe është i lumtur këtu”, deklaroi Marotta për DAZN.
Ai shtoi se skuadra nuk do të pësojë revolucion në merkato, pasi klubi synon të ruajë bazën aktuale të ekipit. Marotta përmendi si shtylla kryesore të projektit emra si Lautaro Martínez, Nicolò Barella dhe Bastoni.
Presidenti zikaltër foli edhe për trajnerin Cristian Chivu, duke bërë të ditur se rinovimi i kontratës së tij është vetëm çështje formaliteti. “Ai meriton jo vetëm vazhdimin e kontratës, por edhe një shpërblim ekonomik. Ka treguar se është në lartësinë e duhur dhe një nga trajnerët më premtues në Itali”, u shpreh Marotta.
Numri një i Interit nuk e fshehu as ëndrrën për të fituar më në fund UEFA Champions League. “Shpresoj që lojtarët të ma dhurojnë këtë trofe pas katër finalesh së humbura në karrierën time. Dua ta ngre Championsin para se të dal në pension”, deklaroi ai.
Marotta u ndal edhe te periudha e tij tek Juventusi dhe transferimi i Cristiano Ronaldos. Ai pranoi se nuk ishte plotësisht dakord me operacionin për CR7, duke e konsideruar një lëvizje shumë të madhe financiarisht për klubin.
Në fund, Marotta komentoi edhe situatën e Romelu Lukakut. “Na vjen keq ta shohim në këtë situatë. Edhe neve na kishte premtuar se do të rikthehej, por nuk ndodhi. Është pjesë e karakterit të tij dhe e limiteve njerëzore”, përfundoi presidenti i Interit.