VIDEO/ Peka sfidon ambasadorët: Të dalin e t’u thonë shqiptarëve, a janë për integrimin e Shqipërisë në BE
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avenir Peka, i ftuar në “Task Force” me Sonila Meçon në SYRI TV, duke ngritur akuza të rënda ndaj qeverisjes në Shqipëri dhe rolit të partnerëve ndërkombëtarë.
Ai deklaroi se kryeministri Edi Rama është në pushtet për shkak të “vjedhjes së zgjedhjeve”.
Peka akuzoi Bashkimin Europian dhe vende të veçanta anëtare se kanë pasur rol pasiv ose të pamjaftueshëm ndaj zhvillimeve në Shqipëri, duke u shprehur se, se kjo situatë ka ndikuar në rritjen e krimit të organizuar dhe emigracionit masiv.
Ai sfidoi drejtpërdrejt ambasadorët dhe përfaqësuesit e BE në Tiranë, duke kërkuar që ata të shprehen hapur mbi disa çështje, përfshirë integrimin europian, luftën kundër krimit të organizuar dhe funksionimin e zgjedhjeve në vend.
‘Tani, unë mendoj që edhe opozita, edhe media, por edhe ne si opinionistë, duhet të jemi të drejtpërdrejtë, të sinqertë me veten, duhet të jemi të sinqertë me publikun shqiptar, duhet të jemi të sinqertë edhe me ndërkombëtarët.
Edi Rama është në pushtet sepse ka vjedhur zgjedhjet. Edi Rama i ka vjedhur zgjedhjet sepse është lejuar t'i vjedhë zgjedhjet. Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në qendrën europiane të trafikut të drogës dhe të krimit të organizuar, të pastrimit të parave, sepse është lejuar nga partnerët ndërkombëtarë. Dhe po ata po ia thonë.
Është lejuar nga partnerët ndërkombëtarë. Në njërën anë e lejojnë, në anën tjetër bëjnë këto kritikat.
Herët a vonë, unë besoj që shumë shpejt, edhe vendet anëtare të Bashkimit Europian, sidomos vendet kryesore, Italia, Gjermania, Spanja, vendet që kanë probleme me krimin e organizuar shqiptar, edhe Komisioni Europian, edhe Bashkimi Europian, por edhe partnerë të tjerë, do të duan të përballen me faktin që ata kanë lejuar dhe janë po aq bashkëfajtorë sa Edi Rama në kthimin e Shqipërisë në një vend që po boshatiset nga qytetarët e vet.
Unë besoj fort që opozita duhet të shkëputet nga kompleksi i përballjes me realitetin, qoftë ky edhe me faktorin ndërkombëtar. Dhe po e marr iniciativën të jemi i pari që ta shpreh. Bashkimi Europian, kryesisht Komisioni Europian, por edhe qeveritë specifike të vendeve anëtare, janë bashkëfajtorë të kësaj situate që është në Shqipëri.
Janë bashkëfajtorë të vjedhjes së zgjedhjeve nga Edi Rama, janë bashkëfajtorë të shndërrimit të Shqipërisë në qendrën në Europë të krimit të organizuar, janë bashkëfajtorë të kthimit të Shqipërisë në narko-shtet, janë bashkëfajtorë të kthimit të Shqipërisë në lavatriçe parash. Se e kujt është loja e tyre, unë nuk e di.
Por, një gjë, ka ardhur momenti që opozita t'i kërkojë Bashkimit Europian: A jeni me shqiptarët apo nuk jeni me shqiptarët? Sepse 1 milion shqiptarë që kanë ikur nga Shqipëria, kanë ikur për shkak të kësaj situate. Tani, çfarë po bëni? Po e mbani peng Shqipërinë në mënyrë që t'ju vijnë emigrantë të paligjshëm? Po e mbani peng Shqipërinë për arsye të tjera gjeopolitike?
Ajo çfarë shoh unë, duke nisur edhe nga këto deklarata përplasëse midis Bashkimit Europian, Komisionit Europian edhe ambasadorëve të huaj, më ngjan që me lejimin e Edi Ramës të qeverisë në këtë mënyrë siç qeverisë, të vjedhë zgjedhjet në këtë mënyrë që i vjedh zgjedhjet, pavarësisht deklaratave diplomatike, nuk ka anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Dhe mua më ngjan që Bashkimi Europian nuk është i interesuar që Shqipëria të avancojë në rrugëtimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Nuk e thonë dot direkt, por e bëjnë me veprime. Unë sfidoj Komisionin Europian, sfidoj edhe ambasadorët e vendeve kryesore këtu, të dalin edhe t'u thonë shqiptarëve: Janë apo nuk janë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian? Janë apo nuk janë për kthimin e Shqipërisë në një narko-shtet? Janë apo nuk janë që bandat e krimit të organizuar të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve? Janë apo nuk janë me shqiptarët?’, tha ndër të tjera Avenir Peka në SYRI TV.