Holanda pa talentin e madh në Botëror, surprizë e hidhur në listën e Koeman-it
Trajneri Ronald Koeman ka publikuar listën e Holandës për Botërorin e ardhshëm, duke shkaktuar një surprizë të madhe me disa mungesa të rëndësishme.
Mes emrave që nuk janë përfshirë bie në sy mungesa e talentit të AZ Alkmaar, Kees Smit, i konsideruar si një nga lojtarët më premtues në Evropë dhe i ndjekur nga klube të mëdha si Real Madridi dhe disa gjigantë të Premier League.
Koeman ka vendosur të mbështetet te grupi aktual dhe të shtyjë më tej procesin e rinovimit të skuadrës, duke lënë jashtë edhe lojtarë si Jeremie Frimpong dhe Stefan de Vrij. Vendimi për Smit ka shkaktuar reagime të forta në Holandë, pasi shumë e konsideronin të sigurt praninë e tij në turne.
Sipas medieve holandeze, trajneri ka preferuar vazhdimësinë dhe përvojën, duke shtyrë rinovimin e plotë të ekipit për një tjetër moment. Kjo bën që debutimi i Smit në një Botëror të shtyhet të paktën deri në vitin 2030.
Në listë nuk mungon Memphis Depay, i cili do të luajë Botërorin e tij të fundit me kombëtaren. Gjithashtu pritet të jenë pjesë edhe figura të tjera të rëndësishme si Virgil van Dijk dhe Marten de Roon, që mund të jenë në fund të karrierës së tyre ndërkombëtare.
Holanda do të zhvillojë dy ndeshje miqësore, ndaj Algjerisë dhe Uzbekistanit, përpara nisjes drejt Botërorit në SHBA. Në fazën e grupeve, skuadra e Koeman-it do të përballet me Japoninë, Suedinë dhe Tunizinë.