Ederson shumë pranë Manchester United, Atalanta përfiton 45 milionë euro

Ederson është shumë pranë transferimit te Manchester United. Mesfushori brazilian duket gati për aventurën e re në Premier League, ndërsa marrëveshja me Atalantën është drejt finalizimit.

Sipas raportimeve nga Italia, “Djajtë e Kuq” do të paguajnë 45 milionë euro për kartonin e lojtarit, ndërsa për Edersonin është gati një kontratë pesëvjeçare me pagë prej 5 milionë eurosh neto në sezon.

Braziliani do të mbushë 27 vjeç në muajin korrik dhe prej katër vitesh e gjysmë luan në futbollin italian. Fillimisht ai u transferua te Salernitana, ku kaloi gjashtë muaj dhe kontribuoi në mbijetesën historike të skuadrës në Serie A.

Më pas, Ederson kaloi tek Atalanta, ku u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të mesfushës zikaltër. Me klubin nga Bergamo ai regjistroi 180 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke realizuar edhe 16 gola.

Transferimi i tij te Manchester United konsiderohet si një tjetër goditje e rëndësishme në merkato për klubin anglez, që synon të përforcojë repartin e mesfushës për sezonin e ardhshëm.