Barcelona futet në garë me Bayernin për ‘yllin’ e Newcastle
Barcelona është futur fuqishëm në garë për transferimin e Anthony Gordon. Sipas raportimeve nga BBC Sport, kampionët e LaLiga-s kanë nisur tashmë bisedimet me Newcastle United për një marrëveshje të mundshme gjatë merkatos së verës.
Sulmuesi anglez kërkohet gjithashtu edhe nga Bayerni i Mynihut, që ka zhvilluar kontakte zyrtare me klubin anglez. Megjithatë, mediet raportojnë se ekziston një diferencë e konsiderueshme mes ofertës së bavarezëve dhe kërkesave financiare të Newcastle.
Klubi anglez ndodhet në një pozitë të favorshme negociuese, pasi Gordon ka kontratë deri në vitin 2030. Drejtuesit e Newcastle kërkojnë të paktën 70 milionë paundë, ose rreth 80.8 milionë euro për kartonin e 25-vjeçarit, i cili realizoi 17 gola gjatë sezonit të fundit.
Drejtori ekzekutiv i klubit, David Hopkinson, kishte paralajmëruar që në muajin mars se çdo largim do të ndodhte vetëm sipas kushteve të Newcastle. Megjithatë, pas një sezoni zhgënjyes, ku skuadra përfundoi në vendin e 12-të në Premier League, shitja e Gordonit konsiderohet si një mundësi për të rindërtuar ekipin.
Spekulimet për largimin e tij u shtuan edhe më shumë në javët e fundit të sezonit, pasi trajneri Eddie Howe e la sulmuesin në stol në katër ndeshjet e fundit. Në sfidën përmbyllëse ndaj Fulham-it, tifozët e Newcastle kënduan emrin e Gordonit, në një atmosferë që u interpretua si një lamtumirë e mundshme.
I pyetur për të ardhmen e lojtarit, Howe nuk dha garanci. “Asnjëherë nuk mund të parashikosh çfarë do të ndodhë. Tani ai do të shkojë në Botëror dhe ne i urojmë më të mirën”, deklaroi trajneri anglez.
Sipas gazetës Marca, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka qenë së fundmi në Angli për të diskutuar mbi transferimin e Gordonit, i cili konsiderohet si një profil me potencial të madh për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick.
Barcelona po monitoron edhe alternativa të tjera për repartin ofensiv, mes tyre Julián Alvarez i Atlético Madrid, João Pedro i Chelsea, si dhe Marcus Rashford, për të cilin katalanasit kanë opsion blerjeje pas huazimit nga Manchester United.