Nesta pranë rikthimit në Serie B, gati marrëveshja me Avellinon
Trajneri italian, Alessandro Nesta, është shumë pranë rikthimit në Serie B. Sipas raportimeve nga mediet italiane, Avellino po finalizon marrëveshjen me teknikun roman, i cili pritet të marrë drejtimin e skuadrës pas largimit të Davide Ballardinit.
Klubi bardhejeshil synon të ndërtojë një projekt ambicioz për t’u rikthyer në elitën e futbollit italian, një objektiv që mungon që prej vitit 1988. Negociatat mes palëve janë në fazën përfundimtare dhe në orët e ardhshme pritet të arrihet akordi definitiv.
Raportohet se marrëveshja do të jetë e vlefshme deri në vitin 2028, me një kontratë dyvjeçare. Firma dhe prezantimi zyrtar para medieve pritet të zhvillohen më 3 ose 4 qershor. Aktualisht, Nesta ndodhet jashtë Italisë për angazhime komerciale që lidhen me Botërorin, por rikthimi i tij në Itali pritet javën e ardhshme.
Ish-mbrojtësi legjendar i Milani pritet të marrë me vete edhe pjesën më të madhe të stafit të tij teknik, përfshirë zëvendëstrajnerin dhe dy analistë ndeshjesh.
Për Nestën do të ishte eksperienca e katërt në Serie B, pas aventurave të mëparshme me Perugian, Frosinonen dhe Reggianan. Ai vjen pas eksperiencës në Serie A me Monza gjatë sezonit 2024/25, që përfundoi me rënien nga kategoria.