Milani zgjedh Iraola-n për stolin, por spanjolli ka dyshime. Rikthehet në skenë edhe Rangnick

Milani duket se e ka përcaktuar trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm. Sipas raportimeve nga Italia, drejtuesit kuqezi kanë vendosur që projekti i ri të nisë me Andoni Iraola-n, një nga teknikët më premtues në futbollin europian.

Gerry Cardinale dhe Zlatan Ibrahimovic e konsiderojnë baskun profilin ideal për revolucionin që pritet të ndodhë në “San Siro”. Iraola pëlqehet për stilin modern dhe ofensiv të lojës, një ndryshim i madh krahasuar me filozofinë e Massimiliano Allegri-t.

Sipas “SportMediaset”, kontaktet mes palëve nuk kanë nisur së fundmi. Takimi i parë mes Iraola-s dhe drejtuesve kuqezi, Giorgio Furlanit dhe Geoffrey Moncadës, është zhvilluar më shumë se një muaj më parë. Më pas, spanjolli ka pasur edhe një tjetër takim me Cardinale-n dhe Ibrahimovic-it, çka tregon se drejtuesit e Milanit kishin planifikuar prej kohësh ndryshimin në pankinë.

Në ditët në vijim pritet edhe një takim i tretë për të tentuar mbylljen e marrëveshjes, por në ambientin kuqezi raportohet se ekziston pesimizëm për fundin e negociatave.

Iraola nuk është plotësisht i bindur për aventurën në Itali. Trajneri spanjoll e konsideron Milanin një projekt shumë kompleks, pasi klubi pritet të nisë një cikël të ri me drejtues dhe lojtarë të rinj, ndërsa Serie A është një kampionat që ai nuk e njeh mirë.

Në të njëjtën kohë, Crystal Palace po ushtron presion të madh për ta bindur trajnerin të qëndrojë në Premier League. Klubi anglez i ofron vazhdimësi, një projekt ambicioz dhe mundësinë për të mos e zhvendosur familjen nga Anglia.

Ndërkohë, për rolin e drejtorit sportiv ka dalë sërish në skenë emri i Ralf Rangnick. Aktualisht në krye të kombëtares së Austrisë, gjermani rikthehet në orbitën kuqezi pas interesimit që Milani kishte treguar për të edhe disa sezone më parë.