Revolucion te Milani, zbulohet prapaskena e golit të Saelemaekers: vetëm Tare festoi, tension mes Ibrahimovic-it dhe Allegri-t

Një prapaskenë e bujshme është zbuluar në lidhje me atmosferën e krijuar te Milani gjatë ndeshjes së fundit të kampionatit ndaj Cagliari-t, duke konfirmuar përçarjen e madhe brenda klubit kuqezi.

Sipas asaj që raporton “Corriere della Sera”, goli i shpejtë i Alexis Saelemaekers pas vetëm dy minutash lojë nuk u prit me entuziazëm nga drejtuesit e klubit në tribunën VIP të “San Siros”. Belgut i mjaftoi një çast për ta afruar Milanin me kualifikimin në Champions League, por reagimi i drejtuesve ishte befasues.

Në raportim thuhet se vetëm Igli Tare u ngrit në këmbë për të festuar avantazhin e kuqezinjve, ndërsa pjesa tjetër e drejtuesve mbetën të ftohtë dhe pothuajse të bezdisur nga rrjedha që po merrte sfida. Arsyeja lidhej me faktin se kualifikimi në Champions League do të aktivizonte rinovimin automatik të kontratës së trajnerit Massimiliano Allegri dhe do ta bënte shumë të vështirë largimin e tij, ashtu si edhe të Tares, nga projekti i ri që drejtuesit kishin planifikuar.

Në qendër të tensioneve duket se ishte edhe Zlatan Ibrahimovic, aktualisht këshilltar i lartë i RedBird. Marrëdhënia mes suedezit dhe Allegri-t raportohet se ishte krisur prej kohësh. Madje, sipas gazetës italiane, dyshja kishte pasur një debat shumë të ashpër në një restorant në Milano, në praninë e administratorit Giorgio Furlani dhe vetë Tares.

Debati kishte nisur për një çështje në dukje të thjeshtë, zgjedhjen e portierit të tretë për sezonin e ardhshëm, por situata kishte degraduar aq shumë saqë Tare ishte detyruar të ndërhynte fizikisht për të shmangur një përplasje mes Ibrahimovic-it dhe Allegri-t.

Ndërkohë, mediet italiane raportojnë se drejtuesit e RedBird kishin nisur prej javësh punën për revolucionin te Milani. Takimet dhe udhëtimet e shumta në Londër kishin shërbyer për të planifikuar të ardhmen e klubit pa Allegrin dhe Taren. Dështimi për t’u kualifikuar në Champions League u përdor më pas si arsyeja ideale për të justifikuar ndryshimet e mëdha në klub.