Garay flet për Realin, Mourinhon dhe Messin: Botërori do të jetë turneu i lamtumirave

Ish-mbrojtësi i Real Madridit dhe Argjentinës, Ezequiel Garay, ka dhënë një intervistë të gjatë ku ka folur për eksperiencën te “Los Blancos”, Jose Mourinhon, Lionel Messin dhe shanset e Argjentinës për të mbrojtur titullin kampion bote.

Garay kujtoi vitet e tij në Madrid, duke theksuar se konkurrenca në skuadër ishte jashtëzakonisht e fortë për shkak të numrit të madh të yjeve në ekip.

“Real Madridi është një botë më vete. Është klubi më i madh në botë dhe çdo ditë aty është një provë”, deklaroi ish-mbrojtësi argjentinas.

Ai foli edhe për Jose Mourinhon, me të cilin punoi gjatë periudhës së tij në Madrid, duke e cilësuar portugezin si një trajner fitues.

“Nuk e di nëse është momenti i duhur që Mourinho të rikthehet te Reali, por ajo që mund të them është se ai është një trajner i madh dhe një fitues i lindur”, u shpreh Garay.

Ish-futbollisti ndau edhe emocionet për finalen e humbur të Botërorit 2014 ndaj Gjermanisë, duke e quajtur atë një dhimbje që ende nuk është larguar plotësisht.

“Ishte një trishtim i madh sepse ne e meritonim ta fitonim atë Kupë Bote”, tha ai.

Megjithatë, Garay u shpreh i lumtur që më vonë Lionel Messi arriti të fitonte Botërorin dhe Kupën e Amerikës me Argjentinën.

Sipas tij, Botërori i ardhshëm mund të jetë turneu i fundit për disa nga legjendat më të mëdha të futbollit.

“Mendoj se do të jetë një Botëror lamtumirash për Messin, Cristianon, Neymarin dhe shumë yje të tjerë”, deklaroi Garay.

Në fund, ish-mbrojtësi theksoi se Argjentina mbetet një nga favoritët kryesorë për të fituar sërish Kupën e Botës, ndërsa veçoi Julian Alvarez si lojtarin që e entuziazmon më shumë nga brezi i ri argjentinas.