Rruga Rrilë–Tale pa siguri, banorët: Telat elektrikë na rrezikojnë jetën, institucionet mungojnë prej vitesh
Në rrugën e re që lidh Rrilën me Talën, telat e energjisë elektrike të ekspozuar pranë zonës së banuar po përbëjnë një rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve. Sipas banorëve, kabllot ndodhen në lartësi të ulët dhe mund të preken lehtësisht, ndërsa situata vijon prej kohësh pa ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.
Banorët shprehen se jetesa në këtë zonë është bërë shqetësuese, sidomos për fëmijët që nisin çdo ditë shkollën.
“Probleme ka sa të duash. Ne kemi frikë edhe fëmijët me i nisë në shkollë, sepse telat janë shumë afër dhe mund t’i prekë kushdo. Jetojmë këtu prej vitit 2000 dhe ende nuk kemi kushtet minimale. Kemi bërë ankesa për shtyllat, por askush nuk merr përgjegjësi. Faturat vijnë çdo muaj, por shërbimi është zero. Edhe kur kemi pasur probleme, jemi detyruar t’i zgjidhim vetë ose me privat”, shprehen banorët.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për sistemimin e rrjetit elektrik dhe garantimin e sigurisë në këtë segment rrugor, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme.