Protesta e studentëve shqiptarë nga Shkupi në Tiranë, Qazolli: Lëvizja do vijojë deri në realizimin e kërkesave

Ersi Qazolli, kreu i Këshillit Studentor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, i ftuar në studion e “Kafe Shqeto”, u shpreh se protesta e studentëve shqiptarë të Shkupit, e nisur fillimisht më 18 maj, është zgjeruar dhe ka vijuar me tubimin e djeshëm në Tiranë, si rezultat i komunikimit të vazhdueshëm mes studentëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

 Ai theksoi se qëllimi i kësaj lëvizjeje nuk ka qenë krijimi i një mase të madhe pjesëmarrësish, por përcjellja e një mesazhi të qartë për mbrojtjen e të drejtave të studentëve dhe gjuhës shqipe.

Qazolli nënvizoi se protesta është organizuar dhe mbështetur kryesisht përmes rrjeteve sociale, duke mundësuar pjesëmarrjen e studentëve nga Tirana, Shkupi, Prishtina dhe qytete të tjera.

‘E bëmë edhe këtë protestë, për t’u treguar të gjithëve që brezi ynë nuk është ai brez i kafeneve, i dembelizmit dhe ai brez që nuk i intereson atdhetarizmi, por jemi ai brez që ngrihemi kur na cenohet një e drejtë dhe ngrihemi për frymën tonë, për atdheun tonë.’-u shpreh ai

Gjithashtu ai theksoi, kjo nismë do të vijojë me protesta të tjera të herëpashershme, deri në arritjen e qëllimeve të përcaktuara nga studentët.

Pjesë nga deklarata:

Ne e nisëm si një protestë të parë dhe e nisëm, domethënë, nuk donim që të arrinim atë pritshmërinë e madhe me numra të mëdhenj; donim thjesht që të përcillnim mesazhin tonë për vëllezërit dhe motrat në Maqedoninë e Veriut.

Kemi qenë në një komunikim të vazhdueshëm. Pas protestës që ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, në Shkup, më datë 18 maj, aty u vendos që protesta të zhvendosej edhe në Tiranë. Me komunikime të vazhdueshme me studentët shqiptarë andej, vendosëm që protestën ta zhvillonim ditën e djeshme në Tiranë, duke ftuar studentë nga e gjithë Shqipëria, nga Shkupi dhe nga Prishtina.

Më së shumti, studentët ishin nga Tirana, sepse sigurisht protesta u zhvillua në Tiranë dhe numri më i madh pritej që të ishte aty. Më pas kishim studentë të shumtë që erdhën dhe na u bashkuan nga Shkupi, nga Prishtina dhe nga rrethet e tjera të Shqipërisë.

Po, kishte edhe nga Kosova. Fjalimet që janë mbajtur dje janë mbajtur edhe nga vëllezërit tanë nga Kosova, nga Shkupi dhe më pas edhe nga kolegët e mi nga Tirana.

Ka ndikuar shumë, sepse ne e dimë që tani jetojmë në rrjetet sociale; domethënë brezi ynë është i varur nga rrjetet sociale dhe shumica e lajmërimeve, posterave dhe shpërndarjeve janë bërë në rrjetet sociale. Shumë prej atyre që nuk e kanë marrë vesh nga ne personalisht, që kemi qenë organizatorë, e kanë marrë vesh nga rrjetet sociale dhe na janë bashkuar dje përmes tyre.

Ka qenë një komunikim shumë i madh dhe në vazhdimësi. Ne kemi folur përgjatë gjithë këtyre ditëve, nga dita e enjte kur kemi nisur hapat e parë të protestës në Tiranë dhe deri ditën e djeshme kemi pasur komunikime të herëpashershme.

Edhe pesë minuta para protestës, para se të fillonte, ne ende po komunikonim, derisa nisi protesta dhe u konsolidua.

Po. Ne përcollëm atë ditë mesazhin tonë dhe do të vazhdojmë. Nëse fjala jonë nuk dëgjohet, fjala e studentëve në Shkup nuk do të dëgjohet, dhe fjala e studentëve në Prishtinë, nëse do të zhvillohen protesta, nuk do të dëgjohet, ne do të vazhdojmë me protesta të herëpashershme deri në arritjen e qëllimit tonë.

Po, besoj se do të jetë Prishtina. Akoma nuk kemi folur për këtë gjë, por besoj se do të jetë hapi tjetër në Prishtinë.

Folësi 1: Ndërkohë ka një raport pak të çuditshëm edhe midis administratës arsimore shqiptare dhe studentëve shqiptarë. Është një marrëdhënie ende e tensionuar dhe plot mosbesim që nga protesta e 2018-ës, pakti për universitetin që nuk u zbatua kurrë. Në çfarë raporti jeni ju me Ministrinë lokale të Arsimit?
Folësi 2: Ne, në fakt, nuk e kemi përfshirë fare anën politike dhe partiake në këtë protestë. Kemi dashur që nga viti 2018...

Po, është politike, por nuk është partiake; duam ta cilësojmë këtë gjë, sepse në çdo media ka dalë si lajm që është protestë partiake, por nuk është aspak e vërtetë.

Po, është e vërtetë. Kjo është një protestë e zhvilluar nga studentët. Që nga viti 2018 është protesta e parë që zhvillohet nga studentët dhe, kur cenohet një e drejtë siç është gjuha shqipe, atëherë të gjithë studentët, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Prishtinës dhe të Shkupit, do të ngrihen në këmbë.

Më së shumti do të citoja vëllain tonë nga Prishtina. Ai jeton në Lyon të Francës tani dhe kishte ardhur posaçërisht për këtë protestë, për të mbajtur fjalën e tij.

Po, kemi pasur edhe shumë mbështetje nga shoqëria civile, dhe Marin Mema na ka mbështetur dhe e falënderojmë shumë.

Jo, kemi pasur edhe dje në protestë një numër të madh jo vetëm studentësh, por edhe mbështetës nga shoqëria civile, pedagogë dhe qytetarë që na janë bashkuar gjatë rrugës. Kishim edhe shumë turistë, shumë të huaj që na janë bashkuar përgjatë rrugës.

Po, edhe nga kurioziteti. Edhe makinat në anën tjetër të rrugës së Kavajës na mbështesnin me bori dhe me thirrjet e tyre. Unë u ndjeva shumë mirë, sepse isha edhe unë, po e them si protagonist, pasi isha ai që i bija daulles dhe i kam rënë me mish e me shpirt asaj daulleje, sepse e ndjeja shumë mirë atë frymë atdhetarizmi që duhet t’ua përçojmë vëllezërve dhe motrave.

Është, është dhe jemi shumë. Prandaj e bëmë edhe këtë protestë, për t’u treguar të gjithëve që brezi ynë nuk është ai brez i kafeneve, i dembelizmit dhe ai brez që nuk i intereson atdhetarizmi, por jemi ai brez që ngrihemi kur na cenohet një e drejtë dhe ngrihemi për frymën tonë, për atdheun tonë.