'Shqipëria pa strategji', Mustafaj: Diaspora drejt asimilimit për shkak të mungesës së politikave shtetërore

Anëtari i departamentit ‘Brain Gain’ në Partinë Demokratike, Andi Mustafaj, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, u shpreh se mungesa e një strategjie shtetërore për diasporën po sjell pasoja të rënda për lidhjen e shqiptarëve jashtë vendit me atdheun.

Ai theksoi se, kjo qasje e paqartë dhe e paqëndrueshme institucionale po e çon diasporën drejt asimilimit gradual në vendet ku jeton. Mustafaj theksoi se veprimet kaotike të shtetit kanë dobësuar ndjeshëm interesin dhe angazhimin e brezit të dytë të emigrantëve me Shqipërinë. Gjithashtu ai shtoi se nevojitet një politikë e re dhe e strukturuar për të ruajtur identitetin dhe lidhjen e diasporës me vendin.

Sipas Mustafajt, një qasje e tillë duhet të përfshijë programe konkrete që nxisin lidhjen e të rinjve të diasporës me Shqipërinë, përmes përfshirjes së tyre në iniciativa politike, administrative dhe ekonomike, si dhe krijimit të mundësive për rikthim dhe investim në vend.

Deklarata e tij:

Mosveprimi i shtetit është deri diku më i mirë sesa veprimi kaotik që ai ka bërë. Ju përmendët që krijon një ministri, heq një ministri, jep disa fonde, heq disa fonde, më falni. Këto veprime jo koherente e shkatërrojnë iniciativën më pas, sepse duke ngritur dhe duke ulur veprimtarinë, duke organizuar dhe çorganizuar atë, është mënyra më e mirë që të mos bëhet asnjë gjë.

Kur shteti nuk vepron fare, iniciativa private, dhe ne jemi të djathtë në këtë aspekt, besojmë tek iniciativa private, merr planin e parë dhe njerëzit mund të vetëorganizohen. Pra, në veprimtarinë e sotme të qeverisë kjo i bën akoma më shumë dëm diasporës sesa nëse nuk vepronte fare.

Por ne jemi edhe një herë parti opozitare, parti opozitare në një sistem autokratik. E them shpesh sepse shpesh harrojmë daljen nëpër media, na kërkohet të veprojmë sikur jemi në një demokraci daneze. Ne jemi një opozitë në një autokraci moderne dhe roli ynë është që në këtë tim të përgatitemi, të përçojmë mesazhin në mënyrë pedagogjike sa më të madhe, të krijojmë mundësitë e bashkëveprimit.

Partia Demokratike këtë e ka nëpërmjet departamentit të veçantë që tenton të thithë të rinjtë, të rejat shqiptare kudo që gjenden nëpër botë, nëpërmjet degëve lokale të Partisë Demokratike, por edhe nëpërmjet iniciativës individuale që e përmenda. Janë të shumtë shqiptarët, demokratët, opozitarët të cilët mundohen nëpërmjet podcasteve të tyre, nëpërmjet shkrimeve të tyre, nëpërmjet veprimtarisë së tyre individuale, që ta mbajnë gjallë këtë lidhje.

Tani, ne këtë kemi në dorë në këtë moment, besoj dhe shpresoj se po e bëjmë, duhet ta bëjmë sigurisht gjithmonë më mirë, sepse është prirja natyrore e njeriut që të kërkojë të bëjë gjithmonë më mirë, por kërkesa për të bërë më mirë nuk duhet të na pengojë që të shohim edhe ato gjëra që po i bëjmë mirë në momentet aktuale.

Po, është shumë e vështirë sepse kur prindërit e tyre nuk e kanë pasur më këtë lidhje me atdheun, ata e kanë akoma më të vështirë. Për brezin e dytë, atdheu është vendi i pushimeve një javë, dy javë në vit, sepse gjithmonë, sa më shumë rriten, aq më shumë shkurtohen këto pushime, sepse nuk vijnë më te familjarët e tyre, por shkojnë me miqtë e tyre nëpër botë.

Pra, interesi është i ulët. Dhe kjo theksohet edhe më shumë kur shtohet ai perceptimi negativ që është krijuar për Shqipërinë.

Këtu ndalet një problem i madh që është fshehja e realitetit të problemeve. Ne në Partinë Demokratike kemi punuar shumë që të thyejmë këtë perceptim ndërkombëtar që është krijuar nga Edi Rama. E dimë që ndër vite ka pasur një propagandë të madhe.

Trupat diplomatike shqiptare janë bërë përfaqësuese të PR-it të kryeministrit dhe jo të shtetit shqiptar. Nuk dua t’i marr me emra, sepse rëndësi ka fenomeni më shumë sesa emri, por shqiptarët si komunitete nuk janë të organizuara në gati asnjë shtet.

Po të marrim Parisin, marrin më shumë ftesa e organizime nga Ambasada e Kosovës sesa nga Ambasada e Shqipërisë. Kjo vlen edhe në Britaninë e Madhe, në Itali, në Gjermani, kudo që kemi anëtarë të departamentit Brain Gain.

Pra është shumë e vështirë, sepse ka mungesë interesi, disa për arsye të moshës, disa për arsye të çorganizimit të shtetit. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk mund ta luftojmë këtë.

Departamenti Brain Gain po rritet në numër. Disa do thonë që është një mikro fenomen dhe është e vërtetë, por është një simbol pozitiv i gjërave që mund të bëhen mirë.

Sepse kalojmë kaq shumë kohë për të folur për gjërat negative dhe kaq pak për gjërat pozitive, saqë pamundësojmë që këto simbole të krijojnë efektin e “snowball effect”, efektin e topit të borës.

Kjo varet nga mundësia dhe nga roli që ata do kenë. Nëse i kërkojmë dikujt që ka ikur prej 10 apo 8 vitesh dhe nuk ka mbajtur lidhje me atdheun, të kthehet, kjo bëhet kundërproduktive.

Personi nuk do ketë lidhjet e mjaftueshme për të kuptuar realitetin shqiptar dhe nuk do ketë mundësi ta ndryshojë. Për më tepër, nëse kthehet në mënyrë të sforcuar, krijohen komplekse superioriteti që sjellin konflikte artificiale në shoqëri.

Ne mendojmë se duhet të dallojmë tre momente të ndryshme të kthimit: kthimi politik, kthimi administrativ dhe kthimi ekonomik.

Brain Gain politik është shumë i vogël në numër, sepse synon angazhimin në një parti politike, në rastin tonë në Partinë Demokratike.

Më pas është Brain Gain administrativ. Personi i parë që ka vendosur Brain Gain-in në Shqipëri ka qenë qeveria e Partisë Demokratike në vitin 2005, kur kryeministër ishte zoti Berisha, nëpërmjet Fondit të Ekselencës.

Kjo ishte nisma e parë që synonte kthimin në administratë të ekspertëve të fushave të ndryshme.

Më pas është Brain Gain ekonomik, që është kthimi më masiv, ku njerëzit investojnë ose kthehen për të ndërtuar ekonomi në vendin tonë.

Nëse ndërtojmë një shtet dhe një administratë që siguron besim në investime, një jetë më të mirë dhe mundësi ekonomike, njerëzit do kthehen për të investuar dhe për të krijuar kompani prodhuese apo shërbimesh.

Kjo është panorama që duhet të kemi në çdo moment në mendjen tonë.