'Raporti i BE flet me gjuhën e opozitës'/ Bumçi: Pa largimin e Edi Ramës nuk ka integrim real
Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV , komentoi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke hedhur akuza të forta ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Sipas Bumçit, interesat e Shqipërisë nuk avancohen përmes marrëdhënieve personale apo favoreve politike.
Duke iu referuar raportit të BE, Bumçi ndaloi te problematikat që lidhen me të drejtat e pronësisë në Shqipëri. Ai theksoi se raporti evidenton moszbatimin e vendimeve të gjykatave shqiptare dhe të Gjykatës së Strasburgut, mungesën e regjistrimit fillestar të pronave, si dhe mungesën e transparencës për hartën digjitale kadastrale.
Sipas tij, raporti kritikon edhe mënyrën e kompensimit të qytetarëve, duke nënvizuar se kompensimi nuk bëhet me vlerën reale të tregut. Bumçi përmendi gjithashtu ligjin për investimet strategjike, për të cilin tha se cënon pronën private dhe duhet të anulohet.
Në analizën e tij, ish-ministri ndaloi edhe te sistemi i drejtësisë, duke përmendur kritikat e raportit ndaj institucioneve që qeverisin drejtësinë, si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Ai tha se raporti evidenton mungesën e integritetit në emërimet në sistemin e drejtësisë, numrin e lartë të çështjeve të mbartura dhe problemet me zbardhjen e vendimeve gjyqësore. Sipas tij, raporti paraqet një panoramë alarmante për gjendjen e vendit dhe tregon se Shqipëria nuk mund të bëjë hapa përpara drejt BE-së pa ndryshime të thella politike.
Bumçi:
Asnjë interes i Shqipërisë nuk avancohet duke puthur dhe përqafuar, as duke i korruptuar. Avancohen interesat personale të Edi Ramës, por jo të Shqipërisë. Dhe edhe dy shembuj nga raporti Flavio.
Raporti flet për pronën. Themelore çështja e pronës. Dhe thotë, nuk zbatohen vendimet e gjykatave, as gjykatave të Strasburgut. Nuk i kthehet përgjigje qytetarëve. Nuk është bërë regjistrimi fillestar. Nuk është bërë dhe nuk bëhet publike harta digjitale kadastrale. Kompensimi i qytetarëve nuk bëhet në vlerën e tregut, dhe i referohet edhe ligjeve që cënojnë pronën si ligji për investimet strategjike, që duhet të anulohen. Pra, është e paimagjinueshme në një vend të BE-së... edhe vende të tjera që janë kandidate.
E fundit, nuk trajtohet çështja e titujve të falsifikuar. Është pa përgjigje. Pra, në këtë vend ku s'ke siguri për titullin e pronësisë, ku shteti nuk zbaton, ke fituar në gjykatë mbas vitesh e vitesh, nuk i zbaton. Çfarë thotë për drejtësinë? Ka kritika për drejtësinë, për institucionet që qeverisin drejtësinë, në mënyrën si janë emëruar, për integritetin e tyre, KLGJ, KLP.
Merret me drejtësinë, me cilësinë e vendimeve dhe vendos kusht që të paktën 75% e stafit, prokurorë, gjyqtarë, duhet të jenë në punë. Janë 150,000 çështje të mbartura. Flet për çështjet e mbartura, për vendime që nuk zbardhen. Çfarë apelimi bën ti ndaj një vendimi kur gjyqtari nuk të jep vendimin e zbardhur? Këto janë të paimagjinueshme në një vend të BE-së. Pra, raporti është një analizë që ne jemi të sëmurë rëndë dhe asnjë hap përpara nuk bëhet nëse në çështjet themelore...
Duhet të ndryshosh në mënyrë tërësore. Në mënyrë tërësore do të thotë një Shqipëri pa qeverisjen e Edi Ramës.
Nuk ka këtu, dhe BE dhe Edi Rama. Është o njëra, o tjetra.
Çfarë po bëjmë? E para ne siguruam që të ketë opozitë Flavio. Se nuk ka demokraci me qeveri, qeveri ka dhe Kina. Por nuk ka demokraci pa opozitë. Dhe plani për të shkatërruar opozitën, plani për ta izoluar ndërkombëtarisht, plani për t'i hequr emrin, për ta thërmuar, siç ka bërë Vuçiç, se Vuçiçi e ka arritur në Serbi këtë, atje nuk ka më një opozitë, ka opozitë me 5%, me 10%. Ky ishte plani këtu për t'u thërmuar, nuk u arrit.
Ne në dy palë zgjedhjet e fundit, edhe pse garuam në zgjedhje lokale pa emër, në kushte të jashtëzakonshme, me kryetarin e opozitës të arrestuar, me kryetarin e partisë së dytë, zotin Meta të arrestuar, me çështje penale për kryetarët e tjerë, ne morëm 34%. Në ato zgjedhje që BE-ja thotë me patronazhim, me shtet, parti-shtet. Tani, ne kemi një opozitë, zëri i saj sot po dëgjohet në Europë dhe kudo. Çfarë thotë raporti? Flet me gjuhën e opozitës.