Kurban Bajrami në Berat, besimtarët mbushin pedonalen e qytetit për faljen e madhe

Besimtarët myslimanë në Berat kanë falur sot Namazin e Kurban Bajramit, duke mbushur pedonalen “Republika” në një atmosferë të mbushur me lutje dhe urime për mirësi, shëndet dhe begati për familjet e tyre.

Falja e madhe është kryer në orët e para të mëngjesit, duke nisur rreth orës 06:20, dhe është drejtuar nga Myftiu i Beratit, Bilbil Talla.

Gjatë fjalës së tij, myftiu theksoi se Bajrami është dita e sakrificës dhe sinqeritetit, një ditë e veçantë ku besimtarët duhet të tregojnë solidaritet, të ndihmojnë jetimët dhe njerëzit në nevojë, si dhe të ruajnë respektin ndaj njëri-tjetrit.

Besimtarët beratas janë lutur për më shumë paqe, bekim dhe harmoni në familje dhe shoqëri, ndërsa pas faljes kanë shkëmbyer urime për festën e Kurban Bajramit.

Sipas traditës islame, pas kryerjes së ritit të faljes, vijon prerja e kurbanit, ndarja e mishit në tri pjesë, dreka tradicionale dhe vizitat tek të afërmit, miqtë dhe shokët. Dita e Kurban Bajramit simbolizon sakrificën e profetit Ibrahim, besimin ndaj Zotit dhe dashurinë për njerëzit.