Elbasani në festë, Kurban Bajrami sjell mesazhe për sakrificë, paqe dhe një shoqëri më të bashkuar

Mëngjesin e sotëm qindra besimtarë mysliman falën Namazin e Kurban Bajramit një prej festave më të rëndësishme të kalendarit islam në sheshin Gensher të qytetit të Elbasanit. Nën lutje dhe mesazhe paqeje, ceremonia e faljes u udhëhoq nga Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, i cili e cilësoi Kurban Bajramin si një ditë sakrifice, reflektimi dhe afrimi me Zotin. Në mesazhin e tij ai uroi besimtarët për më shumë mirësi, begati dhe harmoni në familje, ndërsa bëri thirrje për solidaritet dhe bashkim mes njerëzve.

Pas faljes së namazit, besimtarët shkëmbyen urime me njëri-tjetrin dhe përcollën mesazhe për paqe e mirëkuptim. Shumë prej tyre u ndalën edhe te simbolika e kësaj feste, duke theksuar rëndësinë e sakrificës dhe ndihmës ndaj njerëzve në nevojë.

Për besimtarët myslimanë, Kurban Bajrami simbolizon sakrificën e njeriut për të fituar faljen, mëshirën dhe shpërblimin e Zotit, ndërsa mbetet një festë që bashkon familjet dhe forcon ndjenjën e solidaritetit në komunitet.

Qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, gëzuar Bajramin. Kjo është festa e sakrificës, festa e Kurbanit. Por kemi një gjë të qartë: Allahu nuk do të pranojë një sakrificë që na dëmton ne. Sakrifica duhet të na ngrejë, të na lartësojë dhe të na fuqizojë, të na pastrojë. Të sakrifikojmë pak sot, që të na ngrejë Allahu gradat tona sot dhe nesër, dhe të kemi një shoqëri më të mirë, më të dashur, më solide dhe më të dobishme.”- u shpreh imami