Shkodër/ Myftiu Sytari uron Kurban Bajramin dhe bën thirrje për respektim të pronës dhe vlerave
Besimtarët myslimanë në Shkodër kanë kremtuar festën e Kurban Bajramit me faljen e namazit dhe ceremoninë tradicionale fetare të kësaj dite të shënuar për komunitetin islam.
Gjatë hytbes së mbajtur, Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari, u ndal edhe te çështja e pronave, duke theksuar se po vërehet një tendencë për cenimin e pronave legjitime.
Ai përmendi gjithashtu ndërtimin e një kulle në qendër të qytetit, duke e cilësuar si një vakëf të grabitur dhe një situatë që, sipas tij, përbën shqetësim për qytetin e Shkodrës.
Sipas Myftiut Sytari, një shoqëri nuk mund të ecë përpara nëse nuk respekton të drejtën e pronës dhe vlerat themelore.
Në mesazhin e tij, Myftiu i Shkodrës bëri thirrje për reflektim, kthim tek vlerat dhe respektim të pronës dhe besimit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së parimeve morale dhe shoqërore.