Atmosferë festive në Kukës, besimtarët myslimanë falin Namazin e Kurban Bajramit

Ashtu si në mbarë botën, edhe në Kukës besimtarët myslimanë kanë kremtuar festën e Kurban Bajramit duke falur Namazin e Bajramit në orët e para të mëngjesit.

Në dy xhamitë e qytetit pjesëmarrja e besimtarëve ishte e lartë, ndërsa numri i madh i pjesëmarrësve bëri që falja të shtrihej jo vetëm në ambientet e brendshme, por edhe në ato të jashtme të objekteve të kultit.

Pas ceremonisë fetare, besimtarët shkëmbyen urime me njëri-tjetrin për më shumë paqe, harmoni dhe mirësi në familje. Mesazhe urimi përcolli edhe myftiu i Kukësit, Emirjon Vathaj, i cili uroi të gjithë besimtarët për një festë të begatë dhe me më shumë solidaritet mes njerëzve.

Atmosfera festive vijoi më pas në familjet kuksiane, ku sipas traditës së Kurban Bajramit, besimtarët kremtojnë pranë njerëzve të tyre më të dashur dhe ndajnë ndihma për familjet në nevojë.