Zyrtarizohen zgjedhjet te Real Madridi: më 7 qershor vendoset presidenti i ri
Real Madridi ka hyrë zyrtarisht në një periudhë zgjedhore, pasi komisioni zgjedhor i klubit ka caktuar datën 7 qershor si ditën kur do të vendoset presidenti i ri i “Los Blancos”. Zgjedhjet do të zhvillohen në kompleksin e Ciudad Real Madrid, në Valdebebas, nga ora 09:00 deri në 20:00.
Në garë për drejtimin e klubit janë dy kandidatë: presidenti aktual Florentino Pérez dhe biznesmeni Enrique Riquelme. Mandati i ri do të zgjasë katër vite, deri në vitin 2030, dhe pritet të përcaktojë drejtimin e një prej klubeve më të mëdha në botë.
Këto janë zgjedhjet e para te Real Madridi që nga viti 2006, kur u zgjodh Ramón Calderón, ndërsa Florentino Pérez nuk është përballur me kundërshtar në garë në shumë cikle zgjedhore të mëparshme.
Fushata zgjedhore tashmë ka nisur zyrtarisht. Pérez ka promovuar vizionin e tij me sloganin “Më shumë histori për të bërë”, ndërsa Riquelme ka prezantuar projektin e tij me mesazhin “Trashëgimi dhe e Ardhme”, duke u shfaqur në aktivitete publike dhe në stadiumin ‘Santiago Bernabéu’.
Procesi zgjedhor lejon edhe votimin me postë, ndërsa anëtarët që zgjedhin këtë mënyrë duhet të regjistrohen deri më 3 qershor. Klubi thekson se votimi i dyfishtë nuk lejohet dhe çdo shkelje e rregullave e bën votën të pavlefshme.
Ndërkohë, zgjedhjet kanë sjellë edhe një efekt të menjëhershëm në projektet sportive të klubit, pasi disa vendime të rëndësishme, përfshirë lëvizjet në pankinë dhe emërimet e reja, pritet të shtyhen deri pas përfundimit të procesit.
Tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar te 7 qershori, kur anëtarët e Real Madridit do të vendosin se kush do të udhëheqë klubin për katër vitet e ardhshme.