Zhvillohet konferenca e 8 ndërqeveritare Shqipëri-BE/ Evropianët presin plotësimin e kushteve të IBAR
Brukseli ka mbajtur konferenca e 8 ndërqeveritare Shqipëri-BE, me Zëvendësministren për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna dhe Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila i hap rrugën procesit të integrimit.
IBAR, ose Raporti i Vlerësimit të Standardeve të Përkohshme, është i lidhur me grupkapitullin e parë “Themeloret”, i cili përfshin shtetin e së drejtës, reformat në drejtësi, të drejtat themelore, institucionet demokratike dhe administrata publike.
Vetëm se situata me gjyqësorin nuk është aq rozë, sa përpiqet ta shesë kryeministri shqiptar në konferencën e 8-të ndërqeveritare në Bruksel. Mes mazhorancës socialiste dhe SPAK është ende i nxehtë konflikti për dosjet që kanë të bëjnë me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku apo me arrestimet në radhët e drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Kryeministri Edi Rama u ka dalë në mbrojtje zyrtarëve më të lartë të arrestuar dhe të marrë të pandehur për këto dosje; Rama udhëhoqi një fushatë linçimi ndaj prokurorëve dhe gjykatësve të SPAK dhe GJKKO dhe në 12 Mars, me 82 vota rrëzoi në parlament kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Bashkëpunëtorja e ngushtë e Edi Ramës prej disa dekadash është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera me vlerë disa qindra miliona euro dhe sipas prokurorëve, ka kërcënuar dëshmitarët në procesin gjyqësor.
Kjo spirale sulmesh ndaj prokurorëve dhe gjykatësve të sistemit të drejtësisë dhe refuzimi i mazhorancës socialiste për të dhënë autorizimin ndaj SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut është trajtuar në një nga paragrafët e raportit të ri. Mesazhi për imunitetin e Ballukut vjen si kusht dhe jo më si një sugjerim.
Mbetet për t’u parë nëse qeveria shqiptare do të reflektojë për këtë mesazh të dytë që po i vjen nga Brukseli apo do ta injorojë sërish. Më 12 Mars, kur u përplas me ambasadat e vendeve europiane për imunitetin e Ballukut, kryeministri Edi Rama tha se “dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike”, se SPAK nuk ka “karta bianka” për të arrestuar politikanët dhe se ai bëri atë “që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës”.
Konferenca ndërqeveritare vjen pas vendimit të miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER), i cili konfirmon plotësimin e Kushteve të Ndërmjetme në Grupkapitullin “Themelorët”, si dhe përcakton Kushtet për Mbylljen e negociatave për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.