Gjykata e Lartë prish vendimet/ Behgjet Pacolli rifiton të drejtat ekonomike për aeroportin e Vlorës

Gjykata e Lartë, prish dy vendimet e gjykatave te meposhtme që përjashtonin kompaninë e Behgjet Pacollit, nga shoqëria "Vlora Internacional Aeroport".

Tashmë me ketë vendim Behgjet Pacolli, rifiton të drejtat e tij, ekonomike, në këtë shoqëri tregtare.

Më herët Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit, i kishin dhënë të drejtë kompanisë “2A Group” në lidhje me kërkesën për sigurimin e padisë dhe pezullimin e të drejtave vendimmarrëse të ortakut tjetër, “Mabco” derisa vendimi të merrte formë të prerë.

Përplasja mes dy ortakëve nisi në dhjetor të vitit të shkuar për çështjen e aksioneve dhe menaxhimin e aeroportit në qytetin bregdetar. Biznesmeni Ademi ka bërë edhe një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me këtë çështje.

Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, Valon Ademi, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A.

Hetimi ka nisur për Falsifikim dokumentash, mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik.

Vendimi:

Tiranë

43000-00192-00-2026

Paditës: Shoqëria “Vlora International Airport-VIA” SHPK; Shoqëria “2A Group” (Degë e shoqërisë së huaj).

E paditur: Shoqëria “Mabco Consructions”, Degë e shoqërisë së huaj.

Palë e tretë: Qendra Kombëtare e Biznesit.

Përjashtimin e ortakut, shoqëria “Mabco Construction” SA, degë e shoqërisë së huaj, regjistruar me numër NUIS M21414035V, nga shoqëria “Vlora Internacional Aeroport-VIA” SHPK, me NUIS M118090021, me pasojë likuidimin e kuotës së tij në këtë shoqëri. Marrjen e masës së sigurimit të padisë, duke pezulluar të drejten e votës së ortakut shoqëria “Mabco Construction” SA, në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të shoqërisë “Vlora Internacional Airport-VIA” SHPK, si dhe çdo të drejtë që rrjedh nga zotërimi i kuotës në këtë shoqëri, derisa vendimi të marrë formë të prerë.

Ndryshimin e vendimit nr. 17959 Akti, datë 23.12.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe vendimit nr. 185 (30-2026-1569), datë 19.02.2026 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe rrëzimin e kërkesës së paditësve “Vlora Internacional Airport” SHPK dhe “2A Group” për marrjen e masës së sigurimit të padisë.