Skuadra e Muçit rikthen vëmendjen te Myrto Uzuni, plan i ri për verën në merkato

Trabzonspori ka përshpejtuar punën për merkaton e verës dhe një nga emrat në listën e klubit turk është Myrto Uzuni. Skuadra nga Trabzoni ka kthyer sërish vëmendjen nga MLS, ku aktivizohet sulmuesi shqiptar, i cili vazhdon të ndiqet nga skautët e klubit.

Uzuni, 30 vjeç, ka kontratë që skadon në fund të sezonit të ardhshëm, një faktor që mund ta bëjë më të lehtë lëvizjen e tij në merkato.

Gjatë këtij sezoni, Uzuni ka zhvilluar 14 ndeshje, duke shënuar 5 gola dhe dhënë 1 asistim, statistika që kanë tërhequr vëmendjen e stafit teknik dhe skautëve të Trabzonsporit. Klubi turk e kishte ndjekur lojtarin edhe më herët, madje kishte tentuar ta transferonte në fund të merkatos dimërore, por marrëveshja nuk u finalizua.

Tashmë, drejtuesit e Trabzonsporit pritet të rikthehen me një ofertë të re gjatë verës, duke shpresuar të përfitojnë nga situata e kontratës së lojtarit.

Sipas analizave të brendshme të klubit, performanca e Uzunit dhe eksperienca e tij në futbollin europian e bëjnë atë një profil të përshtatshëm për kërkesat e Süper Lig, ku ritmi dhe intensiteti janë shumë të lartë.

E ardhmja e sulmuesit shqiptar mbetet e hapur, ndërsa Trabzonspori duket i vendosur të mos heqë dorë nga tentativa për ta sjellë atë në Turqi.