Përplasje e fortë te Manchester United, Roy Keane sulmon Bruno Fernandes-in: Është gomar!
Në kampin e Manchester United ka shpërthyer një polemikë e madhe mes një prej legjendave të klubit, Roy Keane, dhe kapitenit aktual, Bruno Fernandes.
Shkak u bë një shkëmbim deklaratash të forta mes dy figurave, pas kritikave të Keane për mënyrën e lojës së mesfushorit portugez. Ish-kapiteni i “Djajve të Kuq” e ka akuzuar Fernandes-in se mendon më shumë për statistikat personale sesa për suksesin e skuadrës.
Fernandes reagoi duke thënë se nuk i pëlqen kur njerëzit “gënjejnë” për të dhe se deklaratat e Keane janë të pavërteta.
“Është e pavërtetë ajo që ka thënë Roy Keane. Për fat të mirë gjithçka është e regjistruar”, u shpreh portugezi.
Por përgjigjja e Keane nuk vonoi. Në një intervistë dhe më pas në rrjetet sociale, ish-mesfushori irlandez e ashpërsoi edhe më shumë gjuhën, duke e quajtur Fernandesin “gomar” dhe duke publikuar një imazh simbolik në Instagram me një gomar nën dritë skene dhe hijet e luanëve në sfond.
“Shumë vëmendje e bën një gomar të mendojë se është luan”, shkruhej në postimin e tij që u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale.
Përplasja nisi pas një deklarate të mëparshme të Keane, ku ai kritikonte sjelljen e Fernandes-it në ndeshje, pavarësisht rekordit të tij të asistimeve në një sezon në Premier League.
“Ky nuk është mentalitet fituesi. Nuk do të fitosh trofe me këtë mënyrë loje”, kishte deklaruar Keane, duke ndezur debatin që tani ka marrë përmasa të mëdha në Angli.