Mafia shqiptare, alarmi Antimafias së Barit: Me ndikim në Europë, gabim të nënvlerësohet
Nga Chiara Spagnolo
Për koordinatori i DDA-së, Giuseppe Gatti, ‘mafia shqiptare ka marrë një rol kryesor në trafikun ndërkombëtar të drogës, duke ndërvepruar me organizata mafioze më të rëndësishme’.
Është i fortë alarmi që Drejtoria Antimafias sw Barit ngre për përhapjen dhe ndikimin e mafies shqiptare në Europë, një fenomen që, sipas koordinatorit të DDA-së Giuseppe Gatti, ‘është pjesërisht i nënvlerësuar’.
Ndërkohë hetimet (i fundit ai për vrasjen e parukierit 26-vjeçar Francesco Diviesti në Barletta) tregojnë se është një fenomen i përhapur dhe i rrezikshëm.
Kjo mafie karakterizohet si jashtëzakonisht e dhunshme dhe shumë e strukturuar, e bazuar në një familjarizëm të fortë dhe në respektimin e kodeve arkaike, por edhe ekonomikisht e fuqishme, sepse ‘ka marrë një rol kryesor në trafikun ndërkombëtar të drogës, duke bashkëpunuar me organizata më të mëdha mafioze’.
Vrasja e Diviesti-t ka lindur në kuadër të shitjes me pakicë të lëndëve narkotike, me një debat fillestar me kapon shqiptar Igli Kamberi për shkak të një borxhi prej 500 eurosh të papaguar.
Por u urdhërua pasi i riu nga Barletta kishte munguar respektin ndaj shqiptarit, duke vënë në dyshim fjalën e tij. ‘Kjo tregon rrezikshmërinë e këtyre grupeve, shpjegoi prokurori Roberto Rossi, të cilat kanë një model sjelljeje shumë të rreptë, ku nuk ka vend për mënyra të tjera veprimi dhe ku dhuna bëhet demonstrative, për të dhënë sinjale për komunitetin’.
Është logjika e kanunit, vijoi Gatti, kodi i vjetër zakonor i fiseve shqiptare, i cili sot është baza mbi të cilën ndërtohen rregullat e grupeve kriminale.
‘Ata që janë zhvendosur në Itali janë afirmuar më parë në territoret e tyre përmes hasmërive të përgjakshme, tha prokurori i shtuar, dhe më pas kanë eksportuar modelin e tyre mafioz’.
Në Itali është menduar gjatë se shqiptarët ishin vetëm fuqi punëtore kriminale e nivelit të ulët, e përfshirë kryesisht në ndihmën e emigracionit të paligjshëm ose shfrytëzimin e prostitucionit, sqaroi DDA, por realiteti tregon një tablo tjetër.
Ku përfaqësues të krimit nga ‘toka e shqiponjave’ fitojnë hapësira të mëdha dhe menaxhojnë trafik të paligjshëm në shtete të tjera. Në Barletta, është dokumentuar se Igli Kamberi menaxhonte trafik droge me miliona euro dhe dërgonte fitimet në atdhe. Në dy operacione (një në kufirin e Murriqan në Mal të Zi dhe një në Itali) u sekuestruan 680 mijë dhe 400 mijë euro.
Hetuesit e DIA-s e interpretojnë këtë fenomen të dërgesave të parave si të lidhur me nevojën për të zhvendosur paratë cash në Shqipëri, ku është më e lehtë të riinvestohen, siç shpjegoi komandanti i DIA-s së Barit, Giulio Leo.
Ndër karakteristikat e mafies shqiptare, Gatti theksoi edhe ‘raportin e jashtëzakonshëm me teknologjinë’, që lejon menaxhimin e trafikut të drogës, por edhe riinvestimin e të ardhurave.