Mourinho i dorëzon Realit planin e merkatos, portugezi kërkon përforcime në pesë pozicione
José Mourinho ka nisur të projektojë rikthimin e tij te Real Madridi dhe ka dorëzuar tashmë një raport me pozicionet që dëshiron të përforcohen gjatë merkatos së verës. Megjithatë, i gjithë projekti aktualisht ndodhet në pritje për shkak të zgjedhjeve presidenciale në klub.
Sipas raportimeve nga Spanja, marrëveshja mes Mourinhos dhe Florentino Pérez është totale. Trajneri portugez pritet të firmosë një kontratë dyvjeçare, me opsion edhe për një sezon tjetër në rast se fiton LaLiga-n. Gjithçka mbetet pezull deri në rizgjedhjen e Florentino Perezit në krye të klubit madrilen.
Në raportin e tij, Mourinho nuk ka dhënë emra konkretë, por ka përcaktuar qartë repartet që duhet të përforcohen. Portugezi kërkon një ose dy mbrojtës qendre, një mbrojtës të djathtë dhe më vonë edhe një të majtë, si dhe dy mesfushorë: një me tipare mbrojtëse dhe një organizator loje.
Një nga prioritetet kryesore të Mourinhos është afrimi i një mesfushori defensiv që të konkurrojë me Aurélien Tchouaméni, si dhe një lojtari kreativ në stilin e Fredrik Aursnes, të cilin portugezi e kishte nën drejtim te Benfica. Sipas tij, një profil i tillë mungon aktualisht në skuadrën madrilene.
Në repartin ofensiv nuk priten shumë ndryshime, pasi Mourinho konsideron se skuadra është e kompletuar në sulm.
Ndërkohë, drejtuesit e Realit janë të vetëdijshëm se për të realizuar afrime të reja, duhet të ketë edhe largime. Të sigurta duken largimet e David Alaba-a dhe Dani Carvajal, të cilëve u skadon kontrata. Në dyshim mbeten edhe Dani Ceballos, Eduardo Camavinga dhe rinovimi i Antonio Rüdiger. Në rast largimi të Fran García-s, Mourinho kërkon edhe një mbrojtës të majtë.
Ideja e teknikut portugez është që në fillim të qershorit të nisë menjëherë punën në Valdebebas për të menaxhuar bashkë me drejtuesit hyrjet dhe daljet nga skuadra. Mourinho ka vendosur të largohet nga Benfica për të ndjekur objektivin e madh: fitimin e UEFA Champions League me Real Madridin, trofe që nuk arriti ta fitonte në aventurën e tij të parë te madrilenët, edhe pse arriti tri gjysmëfinale radhazi.