Tragjedi në futboll, ndahet nga jeta në moshën 21-vjeçare ish-talenti i Southamptonit
Futbolli anglez dhe ai nigerian janë tronditur nga lajmi tragjik për vdekjen e Victor Udoh. Ish-lojtari i akademisë së Southamptonit u nda nga jeta në moshën 21-vjeçare, ndërsa ndodhej me pushime në Nigeri pranë familjes dhe miqve të tij.
Sipas raportimeve të medieve nigeriane, futbollisti u gjet i pajetë në Abuja, kryeqytet i Nigerisë, në mëngjesin e së martës. Dyshimet e para flasin për një helmim ushqimor, megjithëse autoritetet nuk kanë dhënë ende një version zyrtar përfundimtar mbi shkaqet e vdekjes.
Raportohet se disa orë para tragjedisë, Udoh kishte kaluar mbrëmjen me miqtë e tij në qytet. Të nesërmen në mëngjes ai u gjet pa shenja jete, duke shkaktuar tronditje të madhe te familjarët dhe komuniteti sportiv.
Karriera e të riut nigerian konsiderohej shumë premtuese. Sulmuesi i krahut u transferua vitin e kaluar nga Royal Antwerp te akademia e Southamptonit, përpara se të kalonte te Dynamo České Budějovice në Çeki, skuadër ku aktivizohej aktualisht. Edhe pse kishte luajtur pak, ai kishte arritur të realizonte dy gola në tri paraqitje, duke treguar potencial të madh për të ardhmen.
Pas lajmit të rëndë, shumë klube dhe figura të futbollit kanë shprehur ngushëllimet për familjen e lojtarit. Mes tyre edhe Sevilla, që iu bashkua mesazheve të dhimbjes për humbjen e talentit të ri.
Vdekja e Victor Udoh ka lënë pas një boshllëk të madh, pasi futbollisti kishte ende gjithë karrierën përpara dhe konsiderohej një nga talentet premtuese të brezit të tij.