Pastrimi parave, SPAK dhe antimafia godasin grupin, 1 milionë euro cash do pastroheshin në ekonomi
Në një kohë që prozhektorët janë në Tiranë për fenomenin e pastrimit të parave, SPAK dhe Antimafia e Barit në bashkëpunim më njëra tjetrën kanë goditur një grup kriminal, që kishte biznes primar pastrimin e parave.
Në kuadër të këtij operacioni që kishte në shënjestër grupin e Igli Kamberit, që operonte në Itali dhe disa vende të BE deri tani janë lëshuar 15 masa sigurie, prej të cilave 10 me burg, nga të cilat 6 janë ekzektuuar në Itali dhe 4 në Shqipëri, teksa është caktuar 1 masë arrest shtëpie dhe 3 masa të tjera detyrim paraqitje.
Kreu i grupit Igli Kamberi, ndodhej në qeli për vrasjen e një 26 vjeçari në Barleta të Italisë në 2025, teksa ishin hetimet për këtë krim që zbërthyen aktivitetin e këtij grupi kriminal nga tregtia e drogës tek pastrimi i parave.
Vrasja e 26 vjeçarit italian Francesko Divesti ishte brutale dhe trupi i tij u dogj,teksa shkak ishte lufta për territoret e drogës.
Ky grup sillte sasi parash cash në Shqipëri përmes pikave të ndryshime kufitare, teksa në 2024 në Muriqan këtij grupi iu kapën 680 mijë euro.
Në kuadër të këtij operacioni SPAK dhë BKH mësynë në një bllok vilash në Lundër, ku u prangos Ergys Kastrati alias Bishja, i cili ishte shpallur prej dy vitesh në kërkim nga pala italiane, teksa në pranga ra dhe gruaja e tij Desmira Ceco dhe 2 shoferë që bënin transportin e parave të pista.
Sipas SPAK pasuritë ishin vendosur në emër të gruas së Igli Kamberit, Nevila Kamberit, prindërve të saj, bashkëshortes së Ergys Kastratit si dhe disa bashkëpunëtorëve të tyre, roli i të cilëve nuk dihet ende.
Kreu i SPAK Klodian Braho në konferencën për shtyp të zhvilluar me homologët Italian bëri dhe një bilanc të këtij operacioni ku theksoi se prioritet do jetë sekuestrimi i aseteve të krimit të organizuar.
Në konferecën e përbashkët për shtyp të antimafias italiane të Barit me SPAK, Giuseppe Gatti, aktualisht magjistrat në Drejtorinë Kombëtare Antimafia bëri një analizë të detajuar të kriminalitetit shqiptar duke nënvizuar se fuqia e krimit shqiptar është në Tiranë.
“Operacioni na lejon të bëjmë një analizë të kriminalitetit shqiptar. Organizatat kriminale të huaja më të përhapura dhe më të degëzuara në BE. Bëhet fjalë për një fenomen sa alarmant por dhe që është nënvlerësuar. Këto grupe kriminale prej kohësh janë konsideruar si njerëz të përdorur nga grupet kriminale, organizma që merreshin me prostitucion apo që merreshin me emigracionin illegal. Sot realiteti na tregon se kemi të bëjmë me një entitet kriminal të strukturuar dhe të organizuar i aftë për të marrë rol kryesor në trafikun ndërkombëtar të drogës.Një kriminalitet që vepron në skenën globale që ndërvepron me organizatat mafioze më të rëndësishme si në nivel kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar.Këta grupe në realitet nuk janë thjesht organizata të dedikuara trafikut të drogës por transportues edhe janë bartëse, të një famë kriminale, e cila buron nga një matricë fillestare me karakter mafioz, që është formuar dhe stabilizuar pikërisht në Shqipëri. Grupet kriminale shqiptare janë grupe kriminale që veprojnë në lidhje me realitete të caktuara territoriale shqiptare dhe që kanë arritur të marrin lidershipin falë territoreve shqiptare në të cilat veprojnë”
Pavarësisht goditjes së këtij grupi kriminal, pastrimi i parave në ekonominë shqiptare është kthyer në një fenomen që ka alarmuar partnerët në SHBA dhe Bashkimin Evropian, të cilët çdo javë sjellin dosje për grupe kriminalë. SPAK nga ana tjetër akuzon institucionet qeveritare se nuk raportojnë për fenomenin. Ndërtimi dhe turizmi janë dy sektorët jetikë ku pastrohen miliarda euro cdo vit.
“Sot realiteti tregon një nivel shumë të lartë kriminaliteti të strukturave shqiptare, të cilat kanë rol kryesor në narkotrafikun ndërkombëtar. Këto grupe, përveç trafikut të drogës, sjellin edhe një kulturë kriminale me origjinë mafioze, e krijuar dhe e konsoliduar në Shqipëri.Grupet kriminale shqiptare veprojnë si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij, duke fituar rol drejtues në vendet ku operojnë. Ekziston edhe një garë mes tyre për dominim. Krimi i organizuar ka hyrë në një proces delokalizimi. Ky hetim tregon se organizatat kriminale shqiptare të pranishme në Itali ruajnë lidhje me ‘shtëpitë mëmë’ dhe funksionojnë si struktura mafiozeKëto janë ndër format më të tmerrshme të dhunës që përdoren për të treguar forcën e tyre. Grupet shqiptare shfaqin tipare të qarta mafioze, si në kodet e sjelljes, ashtu edhe në lidhjet familjare e kriminale. Personi i akuzuar për vrasje e justifikon ekzekutimin duke thënë se nuk ishin respektuar rregullat e ‘familjes’. Kemi arritur të kuptojmë një model kriminal që ka bazën në Tiranë, por që është shtrirë edhe në Itali, duke ruajtur rregullat dhe hierarkinë tipike të organizatës ‘mëmë’”