Ndërtimet pa leje në bregdet, nga 12 urdhërarreste të firmosura, 8 janë ende në kërkim

Prokuroria e Sarandës ka dhënë detaje lidhur me operacionin e arrestimeve të ndërmarra gjatë ditës së djeshme për ndërtime të paligjshme në bregdet. Mësohet se nga 12 urdhërarreste të lëshuara për punonjës të policisë, zyrtarë vendorë e biznesmenë, vetëm 4 janë ekzekutuar ndërsa vijon kërkimi për 8 të tjerë.

Mes të arrestuarve është dhe Blerim Tafçiu me detyrë ish Shefi i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisatriatin e Policisë Sarandë,ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në shtëpi’, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës kryer më shumë se një herë. Ndërsa janë në 'arrest me burg' 2 policë të komisariatit dhe pronari i Hotel “Oasis”, Alqi Papa.

12 urdhra ekzekutimet u lëshuan për veprat penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë’, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe ‘Ndërtimi i paligjshëm’ parashikuar nga nenet 248, 251, 25 dhe 50/h si dhe 199/a/4 të Kodit Penal.

Njoftimi i Prokurorise

Prokuroria Sarandë lëshoi 12 masa sigurimi për punonjës të policisë, zyrtarë vendorë e biznesmenë të dyshuar për shpërdorim detyre e ndërtime të paligjshme

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, lëshoi 12 urdhra ekzekutimi për veprat penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë’, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe ‘Ndërtimi i paligjshëm’ parashikuar nga nenet 248, 251, 25 dhe 50/h si dhe 199/a/4 të Kodit Penal.

Vendimi për caktimin e masave të sigurimit u dha për zyrtarë të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Sarandë, punonjës të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe biznesmenë në fushën e ndërtimit, në vijim të hetimeve mbi procedimin penal nr.304 të vitit 2026.

Aktualisht u ekzekutuan masat e sigurimit për 4 prej personave nën hetim, konkretisht:

•           Blerim Tafçiu me detyrë ish Shefi i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisatriatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në shtëpi’, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës kryer më shumë se një herë;

•           Kastriot Satka, me detyrë Ndihmës specialisti i policimit në komunitet (inspektor) në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer më shumë se një herë;

•           Kristofor Shkrepa, me detyrë Ndihmës specialisti i policimit në komunitet (inspektor) në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer më shumë se një herë;

•           Alqi Papa pronar i Hotel “Oasis” ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’.

Aktualisht po punohet për ekzekutimit edhe të 8 masave të tjera të caktuara.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon hetimet për identifikimin e çdo rasti, dokumentimin e plotë të faktit penal dhe individualizimin e përgjegjësisë të çdo punonjësi të Komisatriatit të Policisë Sarandë por dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës.