Noka: Shqipëria vendpastrim i parave të karteleve të drogës, Rama arkitekti i skemës…

I ftuar në intervistën e ditës në Syri TV, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u shpreh se në Shqipëri narko-shteti nuk është më thjesht një tezë politike, por një realitet i pranuar edhe nga vetë qeveria.

Ai deklaroi se, dekorimet dhe lidhjet e përmendura me figura të krimit tregojnë për një bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes qeverisë dhe rrjeteve kriminale që veprojnë në vend.

Noka iu referua edhe raporteve ndërkombëtare, përfshirë Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Parlamentin Evropian, të cilat evidentojnë korrupsionin e thellë dhe rrezikun që vjen nga krimi i organizuar për Shqipërinë dhe rajonin. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ai qëndron në qendër të këtij sistemi dhe e ka kthyer vendin në një narko-shtet që pengon integrimin europian.

Në vijim, ai theksoi se opozita do të vijojë betejën e saj politike dhe institucionale deri në “çmontimin e narko-regjimit”, duke paralajmëruar rikthim të aksionit opozitar në çdo formë, përfshirë rrugën dhe parlamentin.

Pjesë nga deklarata:

Të gjitha këto që thatë ju, çfarë tregojnë? Tregojnë që tashmë narko-shteti në Shqipëri nuk është thjesht në kuadrin, në suazën e fjalëve apo të artikulimeve opozitare, por është një realitet të cilin edhe vetë Edi Rama e pranon. Të dekorosh babain e Ergys Agasit për meritat që ka Ergys Agasi për të mbajtur në këmbë dhe për të ndërlidhur kartelet e drogës në Shqipëri me Edi Ramën, apo edhe krimin e organizuar me Edi Ramën, këtë mund ta bëjë vetëm lideri i një narko-shteti, por kurrë një shtet demokratik nuk mund as të guxojë ta mendojë.

Pra, çfarë është? Po të shikoni edhe raportet ndërkombëtare, raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, si edhe raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian së fundmi, ato vendosin gishtin mbi plagët e këtij vendi dhe të kësaj shoqërie.

Cilat janë ato? Korrupsioni galopant që është kthyer në një fenomen të frikshëm për ekonominë, për shqiptarët dhe për shoqërinë shqiptare. Po ashtu, kartelet e drogës tashmë janë rrezik jo vetëm për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por edhe të Evropës. Madje, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit i konsideron si kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjitha këto kanë një pikë ku takohen dhe marrin bekim.

Kartelet dhe krimi i organizuar burojnë në zyrën e Edi Ramës. Të gjithë të tjerët janë anturazh, janë staf që e mbështesin Edi Ramën në këtë proces të kthimit të Shqipërisë në narko-shtet. Të gjithë të tjerët janë thjesht gurë shahu. Është Edi Rama dhe vetëm Edi Rama që ka ideuar dhe zbatuar planin famëkeq të George Sorosit për të kthyer Shqipërinë në narko-shtetin e vetëm të Evropës dhe për të bërë gjithçka për të frenuar integrimin evropian të saj.

Sot edhe raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, ndër të tjera, nënkupton që me narko-regjimin, ne vetëm do të na shtohen kushtet për rrugëtimin drejt Evropës, dhe dera e Evropës, sa kohë të jetë kreu i narko-shtetit aty dhe po ashtu sa të vazhdojë të jetë Shqipëria narko-shtet, është thuajse e pamundur.

Kryeministri është gati për karrigen e tij të shesë Shqipërinë dhe gjithçka tjetër. Por janë betejat e opozitës për qartësimin e opinionit ndërkombëtar dhe të faktorit ndërkombëtar që kanë bërë që sot nuk ka më as shqiptarë dhe as ndërkombëtarë që nuk janë të qartë dhe të bindur se faktori dhe aktori i vetëm destabilizues dhe pengues në zhvillimin dhe integrimin e këtij vendi është Edi Rama dhe qeveria e tij.

Sapo të mbyllim proceset e brendshme organizative të forcës sonë politike, ne do t’i rikthehemi përsëri betejës në çdo formë dhe çdo mënyrë: në rrugë, në parlament dhe kudo kundër narko-regjimit. Çmontimi i tij është një nga kauzat themelore që ka dhe do të ketë Partia Demokratike dhe opozita. Dhe ne nuk do të ndalemi në këtë aspekt derisa të arrijmë qëllimin.