Problemet në Skuraj dhe Laskë, Hilmi Vuthaj: Mungon siguria dhe mirëmbajtja për rrugët

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Kurbinit për Partinë Republikane, Hilmi Vuthaj, ka ngritur një sërë shqetësimesh të banorëve gjatë mbledhjes së këshillit, duke u ndalur veçanërisht te problematikat e sigurisë rrugore në zonën e Laskës dhe gjendja e infrastrukturës në Skuraj.

Vuthaj kërkoi që deklaratat dhe shqetësimet e ngritura të pasqyrohen në procesverbal dhe të mbahen në konsideratë nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se situata në rrugën dytësore të autostradës, në segmentin Fushë Milot - Patok, është bërë alarmante për banorët.

Sipas tij, në atë aks rrugor zhvillohen lëvizje të rrezikshme automjetesh deri në orët e vona të natës, me shpejtësi shumë të lartë dhe pa asnjë sinjalistikë rrugore.

“Aty deri në 2 të natës nuk bëhet punë tjetër veç parakalime dhe lëvizje me shpejtësi ekstreme. Banorët kërkojnë vetëm dy ndriçues dhe masa që të ulet shpejtësia. Nuk mund të kalojnë mjete të tonazhit të rëndë në një rrugë që nuk i përmbush kriteret,” u shpreh Vuthaj.

Ai kritikoi edhe mungesën e reagimit nga policia dhe institucionet lokale, duke theksuar se qytetarët e zakonshëm ndëshkohen, ndërsa drejtuesit që rrezikojnë jetën e banorëve nuk kontrollohen.

Në vijim të diskutimit, Vuthaj u ndal edhe te problematikat infrastrukturore në zonën e Skurajt, duke e cilësuar atë si një nga zonat më turistike të Shqipërisë Veriore, por të lënë pas dore nga institucionet.

Ai rikujtoi premtimin e bërë dy vite më parë nga kryetarja e bashkisë për rikonstruksionin e urës që lidh disa fshatra të zonës, projekt që sipas tij ende nuk është realizuar.

“Ajo urë lidh katër apo pesë fshatra dhe ndodhet në gjendje të mjerueshme. Turistët që vizitojnë zonën e fotografojnë dhe e shpërndajnë në mediat europiane. Është një katastrofë që nuk shihet askund në Ballkan,” deklaroi ai.

Gjithashtu, Vuthaj ngriti shqetësimin për rrugën alternative të Skurajve, ku sipas tij asfalti është dëmtuar rëndë dhe paraqet rrezik serioz për drejtuesit e automjeteve.

“Aty janë çarë pjesë të mëdha të asfaltit dhe makinat rrezikojnë të bien poshtë. Banorët më kanë kërkuar vazhdimisht që ta ngre këtë shqetësim, sepse situata është lënë në harresë,” tha ai.

Në përfundim, anëtari i këshillit kërkoi ndërhyrje konkrete nga Bashkia e Kurbinit dhe institucionet përgjegjëse për të garantuar sigurinë e banorëve dhe përmirësimin e infrastrukturës në zonat problematike.

Postimi: