Lotët e Muriqit prekin tifozët, mesazh emocionues pas rënies së Mallorcës nga La Liga

Vedat Muriqi e mbylli sezonin më të mirë të karrierës së tij në aspektin individual, por fundi ishte tejet i hidhur për sulmuesin kosovar.

Pavarësisht 23 golave të realizuar në La Liga, Mallorca nuk arriti të siguronte mbijetesën dhe ra nga elita e futbollit spanjoll.

Rënia nga liga ka prekur shumë “Piratinin”, i cili nuk arriti t’i mbante lotët pas ndeshjes së fundit të sezonit.

Muriqi u pa duke qarë teksa takoi familjarët e tij në stadium, në një moment mjaft emocional.

Një ditë më pas, reprezentuesi dardan reagoi edhe me një postim prekës në rrjetet sociale, duke iu drejtuar tifozëve të Mallorcas dhe duke shprehur dhimbjen për situatën e klubit.

“Sot fjalët me të vërtetë janë të vështira për t’u thënë. Sepse dhimbjen dhe trishtimin që ndieni ju, i ndiej edhe unë thellë në zemrën time. Gjatë gjithë sezonit qeshëm bashkë, vuajtëm bashkë”, shkroi mes të tjerash sulmuesi 32-vjeçar.

Muriqi theksoi se çdo herë që zbriste në fushë e ndiente përgjegjësinë për ta mbrojtur fanellën e Mallorcës dhe se mbështetja e tifozëve i jepte forcë në çdo ndeshje.

Pavarësisht rënies nga liga, sezoni fantastik i kosovarit ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve evropiane, ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende e hapur.