'Paqe dhe solidaritet'/ Urimi i myftiut të Elbasanit: Kurban Bajrami, festa e sakrificës dhe devotshmërisë

Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe vlerat e kësaj dite të shenjtë për besimtarët myslimanë.

Në urimin e tij, ai u shpreh me fjalët e besimit islam: “Bismilahi Rrahmani Rrahim. Me emrin e Allahut, mëshiruesit, mëshirëplotit. Paqja dhe bekimet qofshin mbi profetin Muhamed (salallahu alejhi ue selem).”

Duka kujtoi se Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme në kalendarin hënor islam dhe vjen pas përfundimit të ritualit të Haxhit, një prej pesë shtyllave të fesë islame. Ai theksoi se kjo festë simbolizon sakrificën dhe devotshmërinë e besimtarit.

Sipas tij, një nga veprimet më të rëndësishme të kësaj dite është prerja e kurbanit për ata që kanë mundësi, një traditë që lidhet me profetin Ibrahim (alejhi selam) dhe profetin Muhamed (salallahu alejhi ue selem).

Myftiu u shpreh se çdo vepër e mirë e kryer gjatë këtyre ditëve të shenjta është një begati për besimtarët, ndërsa prerja e kurbanit mbetet një nga praktikat më domethënëse të festës.

Në përfundim të mesazhit të tij, Myftiu Agim Duka u lut për mirësi dhe begati për të gjithë besimtarët dhe familjet e tyre, duke uruar që ditët e Bajramit të sjellin paqe dhe bekime nga Zoti i Madhëruar.

Myftiu i Elbasanit, Agim Duka: 

Bismilahi Rrahmani Rrahim. Me emrin e Allahut, mëshiruesit, mëshirëplotit. Paqja dhe bekimet qofshin mbi profetin Muhamed salallahu alejhi ue selem. Normalisht, festa e Kurban Bajramit është një nga festat e shënuara në kalendarin hënor, në kalendarin mysliman. Padyshim kjo vjen, festa e Kurban Bajramit vjen pas ritualit të Haxhit, një nga shtyllat e fesë islame, dhe ndryshe quhet dhe simboli i sakrificës për çdo besimtar në këtë ditë të shenjtë të besimtarëve myslimanë.

Pra, ai që ka mundësi në këtë ditë të Kurban Bajramit, mbas faljes së festës së Bajramit, çdo besimtar, ai që ka mundësi, mund të prejë një kurban, e cila pra është simbolikë që nga... e cila daton që nga profeti Ibrahim alejhi selam, po kështu edhe nga Muhamedi salallahu alejhi ue selem. Pra, çdo punë e mirë dhe çdo vepër e mirë në këtë ditë të shënuar, pra, është një mirësi dhe është një begati për besimtarin mysliman. Po sidomos prerja e kurbanit, pra, është një nga detyrat më të rëndësishme për besimtarin mysliman.

Edhe një herë tjetër, lus Zotin, krijuesin e gjithësisë që t'i japë mirësi dhe begati çdo besimtari dhe çdo familjeje besimtari. Lus Allahun e madhëruar që në këtë ditë, në këto ditë Bajrami, Zoti të na japë mirësitë dhe begatitë e tij.