Ca t’ju bëj vllai, ma kërkoi Merz arrestimin tuaj...

Nga Elkier Bushkolaj 

Në ditën kur dekoroi babain e Ergys Agasit dhe ish-deputetin Jurgis Çyrbja, Rama njoftoi nga Durrësi se së shpejti do takohej me kancelarin gjerman Merz.
 
Mimika e Edi Ramës kur e falënderonte ish-deputeti Bardhyl Agasi është pasqyra e qartë e përçmimit që ai ka për shqiptarët, teksa Rama ekspozoi edhe njëherë se si Durrësi 2400-vjeçar, që nuk denjonte të dilte as në vizitat e Enver Hoxhës dhe që  ka qenë gjithmonë pika lidhëse e Shqipërisë me Perëndimin, është më shumë se kurrë në mëshirën e krimit.

Njerëzit kujtojnë se grupet kriminale po përdorin Ramën, por në fakt është e kundërta. Edi Rama i ka keqpërdorur ato, fillimisht për vota, pastaj përmes mekanizmit të lejeve të ndërtimit dhe resorteve turistike i ka vjelë nga paratë në të gjitha drejtimet.

Por, përveç kësaj, Edi Rama i ka ekspozuar bandat shqiptare si asnjë rival i tyre dhe e di shumë mirë se nuk ka asnjë mekanizëm t’i mbrojë për një kohë të gjatë dhe do t’i shesë të gjithë pa përjashtim për karrigen e tij, siç ka bërë me bashkëpunëtorët më të ngushtë.

Justifikimi i tij do të jetë: “Ça t’ju bëjë vëllai, ma kërkoi Merz arrestimin, për integrimin.”

Por dëmi më i madh që ka bërë Edi Rama është se, si askush tjetër, krimin e vendosi përballë shoqërisë shqiptare, pasi i besoi atij vizionin e sipërmarrjes me kushtin që të sillnin paratë në atdhe për të kamufluar korrupsionin e tij, pa pyetur për pasojat e këtij fenomeni kur aplikohet në gjendje të lirë.

Pasojat e kriminalizimit të ekonomisë do t’i vuajmë gjatë si shoqëri, pasi për dekada  shqiptarët do ti  rrisim fëmijë me shpresën që të bëhen shpërndarës të lëndëve narkotike dhe punonjëse të shtëpive publike në Evropë ose Dubai.