E shkuara kriminale e 'kokës' së grupit, Igli Kamberi u arrestua në 2015 pasi tentoi të vriste politikanin italian

Zbardhen detaje në lidhje me të shkuarën kriminale të kreut të grupit shqiptar, që u shkatërrua pas një aksioni të Antimafias Italiane.

Arrestimi i Igli Kamberit

Igli Kamberi, 40 vjeç, me origjinë shqiptare, është arrestuar më 17 korrik 2025 në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, ndërsa udhëtonte me autobus. Ai ishte prej tre muajsh në kërkim nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit.

Sipas autoriteteve italiane, ndaj Kamberit ishte lëshuar një urdhër arresti për përfshirje në trafikun e drogës, konkretisht për posedimin e 24 kilogramëve kokainë, të cilat ishin zbuluar dhe sekuestruar në dhjetor 2024 nga Policia e Shtetit në një garazh në zonën artizanale të Barletës.

Hetimet më tej e lidhin atë edhe me një çështje shumë më të rëndë: vrasjen e Francesco Diviesti, një berber 26-vjeçar nga Barletta. I riu u zhduk më 25 prill dhe disa ditë më vonë u gjet i vdekur, i djegur pjesërisht, në zonat rurale mes Canosa di Puglia dhe Minervino Murge.

Sipas Prokurorisë së Tranit dhe Policisë italiane, Kamberi rezulton një nga pesë personat e dyshuar për këtë vrasje. Ai ishte shpallur i paarritshëm që nga 27 prilli, vetëm dy ditë pas zhdukjes së viktimës, gjë që çoi në zgjerimin e kërkimeve të tij në nivel evropian.

Pas arrestimit në kufi, Kamberi u dërgua fillimisht në Budapest dhe më pas u ekstradua drejt Italisë me avion, ku mbërriti në aeroportin e Romës Fiumicino. Aktualisht ai ndodhet në burgun e Rebibbias në Romë.
Së bashku me të, edhe katër persona të tjerë nga Barletta dhe Minervino Murge janë nën hetim për vrasjen e Diviesti. Prokuroria po heton një rrjet të dyshuar të lidhur me trafikun e drogës dhe nuk përjashton rëndimin e akuzës me rrethanën e metodës mafioze.
Sipas hetimeve paraprake, 26-vjeçari dyshohet se është vrarë me armë zjarri, ndërsa trupi i tij është djegur për të fshehur gjurmët e krimit. Familja e viktimës ka kërkuar drejtësi dhe zbardhje të plotë të ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë dhe priten zhvillime të mëtejshme në këtë çështje të rëndë.

E shkuara kriminale

Igli Kamberi nuk është person i panjohur për autoritetet italiane.

Kjo pasi më 8 gusht të vitit 2015 u arrestua bashkë me një tjetër shtetas shqiptar, Artan Belliu. Ata u akuzuan si pjesë e një grupi që kishin planifikuar të vrisnin kryekëshilltarin e Partisë Demokratike të komunës së Barletës, Pasquale Ventura. Ngjarja tronditëse ndodhi më 20 janar të 2015-ës.

Mësohet se vrasjen e kryekëshilltarit e kishte porositur ish-bashkëshortja e tij, Conceta Dimatteo di Barleta 40 vjeç, edhe kjo e arrestuar. Pas hetimeve rezultoi se gruaja e tij, Concetta Dimatteo di Barletta kishte paguar 20-30 mijë euro ndërmjetësin shqiptar Artan Belliu 53 vjeç për eliminimin e ish-bashkëshortit të saj nga i cili ishte ndarë pak kohë më parë me konflikte të forta ekonomike e sentimentale.

Sipas hetimeve të Prokurorisë shqiptari Belliu për kryerjen e këtij krimi ka kontaktuar me shqiptarin 29 vjecar Igli Kamberi e italianët Giacomo Lanotte e Francesco Sibilano.

Natën e kryerjes së krimit të mbetur në tentativë, shqiptari Igli Kamberi drejtonte motorin nga i cili italiani Giacomo Lanotte qëlloi disa herë me pistoletë ndaj kryekëshilltarit të PD Pasquale Ventura. Prania e paparashikuar e djalit të vogël të Venturës në vendngjarje ka shkaktuar hezitimin e shënjestrës së killerave duke i shpëtuar jetën.

Në identifikimim e autorëve Prokuroria italiane është ndihmuar nga filmimet e telekamerave të zonës pranë vendngjarjes, informon Alba Kepi.