‘Qeveria merr 10-fishin e kohës televizive’/ Rama tërbohet nga monitorimi, niset drejt Brukselit duke trilluar
Edi Rama u nis drejt Brukselit, ku do marrë pjesë në konferencën ndërqeveritare, duke shpërndarë një trillim për situatën e medias në Shqipëri.
Një ditë pasi opozita publikoi një monitorim të detajuar të katër medieve kombëtare, ku thuhet se qeveria merr mbi 10-fishin e kohës televizive në krahasim me opozitën, Rama vendosi të replikojë për çudi me organizatën Reporterët pa Kufij, të cilët e kanë damkosur qeverinë e tij.
Në reagimin e tij, ai thotë se sipas një analize nga inteligjenca artificiale, opozita merr 68 përqind të kohës.
“Meqenëse nuk kam dëgjuar nga ju pasi ndava raportin mjaft zbulues të gjeneruar përmes një modeli të inteligjencës artificiale të zhvilluar nga një startup shqiptar, mendova se do të ishte e dobishme t'ju dërgoja gjetjet e një analize pasuese nga i njëjti burim, këtë herë me një periudhë të zgjeruar monitorimi prej 120 ditësh, duke mbuluar 106,962 artikuj në 47 media të monitoruara.
Shpresoj se do të jeni të kënaqur të mësoni se, në lidhje me tezën e njohur të një mjedisi "media të kapur", sa më i madh të bëhet mostra, aq më e dobët duket të jetë kjo tezë. Vetëm imagjinoni: treguesit empirikë e vendosin Shqipërinë 33 pikë përqindjeje nën pragun e lidhur me sistemet mediatike të kapura në mënyrë strukturore. E pabesueshme, apo jo? Por e vërtetë. Pjesa e Zërit të opozitës arrin në 68.2%, ndërsa dukshmëria e qeverisë është në 31.8%. Më e habitshme është se edhe brenda mediave që zakonisht etiketohen si pro-qeveritare, dukshmëria e opozitës mbetet më e lartë se vetë dukshmëria e qeverisë,” shkruan Rama.
Por çdo raport i rëndësishëm dhe çdo institucion ndërkombëtar nënvizon se në Shqipëri media është e kapur nga qeveria.
Jo vetëm kaq, por edhe në raportin e IBAR që Edi Rama do ketë sot në tryezë në Bruksel theksohet diçka të tillë.
Sa i përket analizës me inteligjencë artificiale, ku i bazon pretendimet e tij Rama, ajo mund të jetë bërë nga Diella e tij, e cila sipas ekspertëve më të mirë të huaj, është thjesht një bot pa tru, pa kurrfarë inteligjence artificiale dhe asnjë ndërfaqe.