SYRI TV - GJKKO/ Shtyhet seanca për Veliajn, shkak mungesa e avokatëve dhe të pandehurve

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar seanca ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cila është shoqëruar me mungesa të shumta të të pandehurve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë, si dhe me debate procedurale mes palëve.

Në sallë nuk është paraqitur Meriman Palushi, ndërsa për shoqërinë “Palushi sh.p.k.” është paraqitur vetëm avokati i saj. Po ashtu, Sokol Kryeziu nuk ka qenë i pranishëm, ndërsa fletëthirrja është kthyer e panënshkruar, duke lënë mbrojtjen të përfaqësuar vetëm nga avokatët. Mungesa janë regjistruar edhe për disa subjekte të tjera. Për “Gerard A sh.p.k.” janë paraqitur përfaqësues ligjorë, ndërsa për “Fusha sh.p.k.” ka qenë i pranishëm avokati Uljan Bajrami. Ndërkohë, Meriton Lika nuk është paraqitur në seancë dhe mungojnë edhe avokatët e tij. Për “Lan sh.p.k.” janë konstatuar mungesa të përfaqësuesve ligjorë, përfshirë edhe avokatët Maks Haxhia dhe Dritan Jahaj, ndërsa në sallë nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësues për OJF “Qendra Harabel”, OJF “Byl-A” dhe OJF “Qendra Muza”, ku në disa raste kanë qenë vetëm avokatët mbrojtës.

Në seancë është paraqitur Valmir Xoxa, i përfaqësuar nga avokati i tij, ndërsa është bërë me dije se avokati Maks Haxhia ndodhet jashtë vendit për shkak të një takimi zyrtar. Po ashtu, mungon edhe avokati Dritan Jahaj, ndërsa për Xoxën është raportuar revokimi i një prej avokatëve të saj dhe caktimi i një përfaqësuesi të ri.
Nga ana e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është kërkuar pezullimi i afateve të paraburgimit, me argumentin se mungesat e mbrojtjes ligjore po shkaktojnë shtyrje të procesit. Ndërkohë, mbrojtja e Erion Veliaj e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke theksuar se i pandehuri nuk është shkak për vonesat dhe se nuk ka arsye për pezullimin e afateve. Në përfundim, Gjykata e Posaçme vendosi ndërprerjen e seancës dhe caktimin e një date të re për vijimin e procesit.

Prokurori Ols Dado gjatë seancës u shpreh se katër të pandehur po bëhen pengesë për vijimin e gjykimit.

Diskutimet:

Ols Dado: SPAK çmon se jemi në kushte për shtyrje të seancës, për shkak se shkaktohet nga mosparaqitja e të pandehurve apo avokatëve të tyre, kërkojmë pezullimin e afateve të paraburgimit Erion Veliaj.

Plarent Ndreca: Antikushtetuese, e pabazuar dhe cënon lirinë e Veliajt që nuk bëhet shkak për shtyrjen e seancës, ka caktuar avokat, avokati është këtu.

Plarent Ndreca: Gjykata e themelit para se të ndahej çështja ka urdhëruar që të njihet me të gjitha aktet. Nuk është zbatuar ky vendim dhe kërkojmë të merren masa. As unë as i pandehur nuk kemi akses në provat, akoma nuk kemi kopje. Kjo kohë deri seancën tjetër të përdoret për të na vënë në dispozicion provat digjitale.

Ols Dado: Gjykata e themelit ka marrë vendim për dorëzim aktesh fizikisht dhe janë dorëzuar, akte të cilat i përkasin të pandehurit në fjalë. Janë pjesë e procedimit por nuk i përkasin të pandehurit aktet që kërkohen.