Aksioni i Antimafias për pastrimin e parave në Shqipëri, u sekuestruan 1 milion euro cash, vrasjet mafioze

Nga Alba Kepi 

Një operacion i gjerë ndërkombëtar i zhvilluar në orët e para të mëngjesit ka goditur një organizatë kriminale të dyshuar për vrasje mafioze, trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Operacioni u realizua nga Drejtoria Distriktuale Antimafia e Barit (DDA) dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë (SPAK), në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore me mbështetjen e Eurojust.

Hetimet lidhen me vrasjen e Francesco Diviesti, e ndodhur më 25 prill 2025 në Canosa di Puglia, si dhe me një grup të strukturuar kriminal me bazë në Tiranë, i dyshuar për pastrimin dhe transferimin e parave të trafikut të drogës nga Italia drejt Shqipërisë.

Sipas autoriteteve italiane dhe shqiptare, janë ekzekutuar masa sigurie ndaj 15 personave, të dyshuar për vrasje me paramendim me metodë mafioze, trafik droge, armëmbajtje pa leje, fshehje të autorëve të krimit dhe pastrim ndërkombëtar parash.

Vrasja e Francesco Diviesti

Ngjarja, sipas hetuesve, nisi me një konflikt në një lokal në Barletta, pas së cilit viktima u rrëmbye dhe u dërgua në një zonë të izoluar në Alta Murgia, ku u ekzekutua me pesë plumba nga afër. Më pas trupi i tij u dogj brenda gomave të automjeteve për të zhdukur gjurmët e krimit.

Autoritetet italiane dyshojnë se vrasja lidhet me kontrollin e trafikut të drogës në zonë dhe konsolidimin e një grupi kriminal të drejtuar nga një shtetas shqiptar, i cili më vonë u arrestua në Hungari me 24 kilogramë kokainë të pastër.

Rrjeti i pastrimit të parave

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu një strukturë kriminale me bazë në Tiranë, e cila merrej me transferimin dhe riciklimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës në Itali drejt Shqipërisë.

Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një qarkullim financiar miliona euro të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal, të cilat janë transportuar dhe pastruar përmes rrjeteve të organizuara.

"Gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar 1 mln euro cash. Nga GJKKO pas kërkesës së SPAK janë sekuestruar shoqëri tregtare, automjete, llogari bankare që burojnë nga aktivitetet kriminale" deklaroi kreu i SPAK, Klodian Braho.

Një nga episodet kryesore të hetimit mbetet sekuestrimi i 680 mijë eurove cash në pikën kufitare të Muriqanit në nëntor 2024, pas informacioneve të siguruara nga DIA e Barit.

Operacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Operacioni është pjesë e një projekti afatgjatë mes DDA-së së Barit dhe SPAK-ut të Tiranës kundër organizatave kriminale shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, duke vijuar operacionet “Shefi”, “Kulmi”, “Shpirti” dhe “Ura”.

Në total, sipas autoriteteve, janë ekzekutuar 170 masa sigurie ndër vite, janë sekuestruar miliona euro pasuri dhe mbi shtatë ton drogë në Itali, Shqipëri dhe vende të tjera europiane.

Masat e sigurisë të sotme janë ekzekutuar në Itali, Shqipëri dhe Spanjë, ndërsa disa persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Autoritetet theksojnë se çështja ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake dhe se përgjegjësia penale do të përcaktohet vetëm nga gjykata.