Australi/ Rreth 90 dronë bien nga qielli pas defektit në shfaqjen me drita në Sydney

Rreth 90 dronë kanë rënë nga qielli mbi Darling Harbour në Sydney gjatë një shfaqjeje të njohur dimërore me drita, me pamje që tregojnë pajisjet duke rënë në ujë pranë turmave të mbledhura.

Organizatorët e festivalit “Vivid Sydney”, një event vjetor trejavor me instalacione të mëdha ndriçimi, deklaruan se incidenti i së hënës në mbrëmje, sipas orës lokale, erdhi si pasojë e “vështirësive teknike të paparashikuara” dhe njoftuan anulimin e dy shfaqjeve të ardhshme.

Pamjet e shfaqjes së së hënës kanë kapur dhjetëra dronë që bien nga qielli, duke lënë të habitur spektatorët.

Kompania britanike “Skymagic”, që organizon shfaqjen, tha se problemi u shkaktua nga një ndryshim në frekuencën e radios dhe se asnjë dron nuk ka dalë jashtë kufijve të sigurisë.

Një punonjës i Darling Harbour, Robert, deklaroi për ABC se zhurma e përplasjes së dronëve ishte e fortë edhe nga 10 deri në 20 metra larg.

Sipas një zëdhënësi të Skymagic, gjatë shfaqjes së 25 majit ndodhi një problem teknik që bëri që 89 dronë të përfundonin në ujërat e Cockle Bay.

Shkaku kryesor, sipas kompanisë, ishte një “ndryshim i paparashikuar në mjedisin e frekuencës së radios pas ngritjes”, i cili aktivizoi procedurat e emergjencës së uljes për shkak të humbjes së saktësisë së pozicionimit.

Një zëdhënës i “Vivid Sydney” kërkoi ndjesë për “zhgënjimin dhe shqetësimin e shkaktuar vizitorëve”, duke shtuar se shfaqjet u anuluan në përputhje me protokollet e sigurisë.

Organizatorët thanë se “Skymagic” dhe autoritetet përkatëse do të kryejnë një vlerësim të plotë para vendimit për vijimin e programit të mbetur.

Shfaqja me dronë “Star-Bound” përfshinte deri në 1,000 dronë dhe zgjaste deri në 12 minuta. Festivali kishte planifikuar 22 shfaqje në 11 net gjatë tre javëve.

“Vivid Sydney” nisi në vitin 2009 dhe konsiderohet si festivali më i madh i dritës, muzikës, ideve dhe ushqimit në hemisferën jugore, duke tërhequr mijëra vizitorë në Sydney Harbour dhe në qendër të qytetit.