'Rinia largohet sepse ekonomia nuk ofron perspektivë'/ Xhixho: Integrimi europian po ecën pa plan për bizneset

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka deklaruar në një postim në rrjetet sociale se procesi i integrimit europian të Shqipërisë nuk mund të realizohet përmes propagandës, konferencave apo sloganeve, por kërkon reforma të thella ekonomike dhe institucionale.

Sipas saj, integrimi në Bashkimin Europian kërkon një ekonomi të përgatitur, institucione funksionale, siguri ushqimore dhe politika konkrete mbështetëse për qytetarët dhe bizneset.

Xhixho thekson se situata aktuale është shqetësuese, duke iu referuar të dhënave sipas të cilave vetëm 15% e bizneseve shqiptare janë të gatshme të përballojnë standardet e tregut europian, ndërsa pjesa tjetër rrezikon vështirësi serioze, përfshirë edhe falimentimin. Ajo shton se shumica dërrmuese e bizneseve nuk kanë kapacitet financiar për të përballuar kostot e përshtatjes me këto standarde.

Xhixho kritikon gjithashtu qeverinë për fokusin në “hapjen e kapitujve” të negociatave, pa adresuar, sipas saj, problemet e brendshme të ekonomisë, fermerëve dhe tregut të punës, duke përmendur edhe emigrimin e të rinjve.

Xhixho:

Shqipëria nuk integrohet në Bashkimin Europian me propagandë, konferenca apo slogane. 
Integrimi kërkon përgatitjen ekonomike që bizneset të mos rrezikojë falimentin. 

Integrimi kërkon ekonomi të përgatitur, institucione funksionale, siguri ushqimore dhe politika konkrete mbështetëse për qytetarët dhe biznesin.

Sot realiteti është alarmant: vetëm 15% e bizneseve shqiptare janë të përgatitura për tregun dhe standardet e BE-së, ndërsa 85% e tyre rrezikojnë falimentimin nëse nuk arrijnë të plotësojnë këto standarde. Edhe më shqetësues është fakti se rreth 98% e bizneseve nuk kanë mundësi financiare për të përballuar vetë koston e transformimit dhe përshtatjes.

Kjo do të thotë se shumica dërrmuese e sipërmarrjes shqiptare është lënë vetëm, pa mbështetje reale, pa skema financimi, pa subvencione dhe pa një strategji serioze për t’u përballur me konkurrencën europiane.

E njëjta situatë shihet edhe te siguria ushqimore. Shqipëria vazhdon të ketë mungesë kontrolli, standarde të dobëta dhe institucione që reagojnë vetëm pasi skandalet bëhen publike. Ndërkohë që BE kërkon standarde të larta për mbrojtjen e konsumatorit, fermerët dhe bizneset shqiptare nuk po mbështeten për të arritur këto standarde.

Qeveria flet çdo ditë për “hapje kapitujsh”, por nuk flet për bizneset që rrezikojnë falimentimin, për fermerët që nuk përballojnë standardet, për produktet pa garanci sigurie në treg dhe për të rinjtë që largohen sepse nuk shohin perspektivë.

Integrimi europian nuk është dekor politik. Është proces që kërkon reforma të vërteta dhe ekonomi të aftë të mbijetojë në tregun europian. 
Pa investuar sot tek biznesi, prodhimi, siguria ushqimore dhe kapitali njerëzor, Shqipëria rrezikon të hyjë e papërgatitur në një garë ku humbës do të jenë qytetarët shqiptarë.