Antimafia/ Goditet grupi i strukturuar kriminal me bazë në Tiranë, dyshohet për pastrim ndërkombëtar parash

Që në orët e para të mëngjesit (26 maj) është në zhvillim një operacion i përbashkët mes Drejtorisë Rajonale Antimafia të Barit (DDA) dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë (SPAK), në kuadër të një Ekipi të Përbashkët Hetimor, me mbështetjen dhe koordinimin e Eurojust.

Hetimet, të kryera nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit dhe Skuadra Mobile e Policisë së Andrias, lidhen me vrasjen e Francesco Diviestit, të ndodhur në Canosa di Puglia (BAT) më 25 prill 2025, si dhe me një grup të strukturuar kriminal me bazë në Tiranë, i dyshuar për pastrim ndërkombëtar parash në rrugë të paligjshme midis Italisë dhe Shqipërisë, thuhet në njoftimin e Antimafias së Barit.

Video e antimafias

Gazetarja e Syrit, Alba Kepi ka siguruar dhe videon e operacionit, por dhe provat që Antimafia ka siguruar ndaj këtij grupi kriminal. Në video ndër të tjera janë dhe dy sekuenca dhunimi të personave apo dhe shuma të mëdha eurosh që janë gjetur gjatë kontrolleve.

Mësohet se janë firmosur 15 urdhra ndalimi, 11 prej tyre me masë arresti me burg, 1 'arrest shtëpie' dhe 3 detyrim me paraqitje.

Vrasja e 26 vjeçarit italian

Francesco Diviesti, 26 vjeç, nga Barletta, u raportua i zhdukur më 25 prill 2025. Pas disa ditësh kërkimesh, trupi i tij u gjet më 29 prill në një zonë rurale mes Canosa di Puglia dhe Minervino Murge.
Sipas hetimeve paraprake, trupi i viktimës ishte pjesërisht i djegur dhe paraqiste shenja të mundshme dhune me armë zjarri.

Konferenca

Veprimtaria kriminale është dokumentuar në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe me mbështetjen e Zyrës së Ekspertit për Sigurinë në Tiranë.

Detaje të mëtejshme mbi operacionin do të bëhen publike në një konferencë për shtyp që do të mbahet në Prokurorinë e Republikës së Barit, e transmetuar edhe online në orën 10:30, ku do të marrin pjesë:

Klodjan Braho – Prokuror i Përgjithshëm, SPAK (Tiranë)

Roberto Rossi – Prokuror i Republikës së Barit

Aldo Ingangi – Asistent i Anëtarit Kombëtar për Italinë në Eurojust