VIDEO/ Nesho: Trump mbetet më i besueshëm për ekonominë në SHBA, më shumë se demokratët
Dritan Nesho, themelues dhe CEO i HarrisX, në një intervistë në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka folur mbi metodologjinë e sondazheve dhe dinamikat politike në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se puna e kompanisë së tij përdoret dhe referohet nga palë të ndryshme politike.
Sipas Neshos, sondazhet e realizuara nga HarrisX kanë gjetur përdorim si nga administrata Biden, ashtu edhe nga administrata e parë e Donald Trump, pasi në to, sipas tij, reflektohen si elementë pozitivë ashtu edhe negativë për aktorët politikë.
Ai theksoi se kjo qasje, sipas tij, e bën produktin e sondazheve të paanshëm dhe të fokusuar te votuesi, i cili shihet si një aktor që përballet me presione të ndryshme politike dhe formëson vazhdimisht perceptimet e tij.
‘Ne kemi patur fatin që jemi referuar dhe nga administrata Biden, dhe nga administrata e parë e Trumpit, dhe në çdo sondazh secili nga këta gjen elementë që janë pozitivë, por dhe elementë negativë që duhet t'u përgjigjen.
Dhe në një farë sensi citohemi nga të gjitha palët. Kjo është vlera e një produkti që nuk është i njëanshëm, por e shikon votuesin si një entitet që ballafaqohet me presione të ndryshme politike dhe është gjithmonë duke krijuar perceptimin dhe gjykimin e tyre për ku qëndrojnë.
Dhe është stili i sondazhit që unë i jap shumë kredit mentorit tim Mark Penn, që ka qenë sondazhieri dhe strategjisti kryesor i Bill Clinton dhe Hillary Clinton, që na e ka mësuar këtë stil sondazhesh.
Në anën tjetër, presidenti Trump ka një veti shumë të mirë, që është shumë i hapur. Është shumë i hapur edhe me kundërshtarët e tij politikë, ose me demokratët konservatorë, siç jemi ne në grupin tonë.
Sidoqoftë, është i vetmi president republikan që i thërret armiqtë e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe thotë: ‘Ok, unë kam probleme me ekonominë, çfarë duhet të bëj për ta zgjidhur?’. Presidenti Trump është shumë pragmatist.
Mentori im i ka bërë sondazhin e parë në vitin 1986 se çfarë do t'i duhej Donald Trumpit për t'u bërë president i Amerikës. Që në '86-ën.
Atëherë ka qenë demokrat dhe personi që ia ka bërë sondazhin ka qenë Mark Penn.
Në Shtëpinë e Bardhë, duke shpalosur sondazhin që bëjmë me Universitetin e Harvardit, që ai e ka dhe armik në një farë sensi, por prapë arrin, për arsye pragmatiste, dhe produktin e një instituti (që Trumpi i ka vënë shumë presion Harvardit), me disa sondazhierë që vërtet janë konservatorë, por janë konservatorë demokratë, ai arrin edhe e përpunon dhe e përdor për vlerat që ka.
Domethënë, Trumpi është president i Amerikës për disa arsye shumë reale: komunikimi i tij, por edhe pragmatizmi i tij dhe aftësia për të krijuar ura të ndryshme politike.
Më të mira sesa duken. Në sensin që, për shkak se ka shumë pakënaqësi për çmimet dhe aftësinë e votuesve për të përballuar çmimet e rritura, dhe këtu luan një rol shumë të madh rritja e çmimeve të naftës, që është pasojë e luftës me Iranin, që presidenti Trump po e ndjek tani për dy muaj të plota, me rezultate mikse, po themi deri tani të paktën.
Për shkak të pakënaqësisë që evidentohet në sondazhe dhe faktit që ai ka rënë në sondazhin tonë nga 45% aprovim para 6-7 muajsh në 42%... kur ju bën pyetjen esenciale votuesve: ‘Kujt i besoni më shumë për menaxhimin e ekonomisë, Trumpin dhe republikanët në njërën anë apo demokratët?’, prapë 53% zgjedhin Trumpin dhe republikanët.
Problemi që kanë demokratët është që ata nuk kanë një opozitë efektive, nuk kanë një mesazh efektiv, prandaj sondazhet mund të ndryshojnë shumë shpejt. Në qoftë se Trumpi arrin dhe e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve nga çështja e Iranit dhe jep një vizion ekonomik më të mirë votuesve.
Çdo zgjedhje është një zgjidhje midis alternativave të ndryshme dhe fatkeqësisht demokratët nuk kanë arritur të ndërtojnë asnjë vizion dhe asnjë seri liderësh të rinj të cilët mund ta përcjellin mesazhin dhe ta çojnë Partinë Demokratike në një fitore të thellë në Kongres’, tha ndër të tjera Dritan Nesho në SYRI TV.