Vangjeli: Raporti i IBAR, pasqyrë e trishtuar që na ballafaqon me problemet tona të pafundme

I ftuar në studion e ‘Çim Peka Live’ analisti Lorenc Vangjeli pranon se ka ndryshime rrënjësore të raportit IBAR krahasuar me dokumentin e mëparshëm.

Ai e cilëson një "pasqyrë të trishtuar" që evidenton dështime të njëpasnjëshme në sektorë kyç. Korrupsioni mbetet plagë e hapur që dëshmon një shtet thellësisht jofunksional në raport me standardet evropiane.

Ai shprehu shqetësimin se integrimi evropian po kthehet thjesht në një sllogan propagandistik të ngjashëm me premtimet e regjimeve të kaluara, një vijë horizonti që largohet sa më shumë tentohet të arrihet.

Ne marrim po të njëjtin ushqim të hedhur. Domethënë, problemet mbeten. Ishte e kuptueshme që dhe për të njëjtin tekst, të dyja palët do ndaheshin në mënyrë krejt të kundërt. Njëra palë shikon atë që i intereson, pala tjetër i shikon çfarë i intereson asaj. Rama i bie shkurt, thotë: "Ja ku e morëm, i barabartë", përkundër të gjithë skeptikëve dhe dyshuesve që thoshin që ne do të ngelim në klasë. Ne e kaluam, ne jemi karvani, ata janë qentë dhe lehjet e tyre. Opozita përmend një seri vërejtjesh të cilat janë thelbësore: ashpërsimin e gjuhës e gjithçka tjetër. Kështu që,

E nesërmja na ofron dy gjëra. E para që, nëse erërat e gjeopolitikës do vazhdojnë të fryjnë tek ne, ky është një proces në favor të Shqipërisë, ky është një proces që do të shkojë përpara. E dyta, është gjithashtu një pasqyrë e trishtuar që na ballafaqon me problemet tona të pafundme, të cilat duket nganjëherë sikur shtohen rrugës.

Vështrimi apo radiografia e bërë, që kalon që nga problemet e korrupsionit, të qeverisjes, sektorë të veçantë të cilët merren edhe thirren në apel në emër të përveçëm siç është infrastruktura, shëndetësia, PPP-të, arsimi, tatimet, kadastra e gjithçka tjetër, tregon që ne jemi një shtet i cili nuk është funksional ashtu siç do të ishte Evropa, siç do të duhej të ishim atje.

Kështu që, kam frikë, kam frikë se e gjithë kjo historia e integrimit, me të cilën ne jemi mësuar ta dëgjojmë si një refren, si një sllogan, si një premtim njësoj siç thuhej dikur "edhe pak edhe do ndërtojmë komunizmin në Shqipëri", është si ajo vija e horizontit që sa më shumë i afrohesh, aq më tepër i largohesh. Dhe për më tepër, sërish kam frikë të madhe, se përveç një pjese shumë të madhe të shoqërisë shqiptare që realisht nuk e kupton si ç'do të thotë integrimi dhe zakonisht e barazon atë me lëvizjen e lire. Kam frikë se ajo që quhet elitë politike në Shqipëri, një grusht njerëzish nuk e duan fare këtë proces. Sepse një grup hilacakësh të mësuar me hile është shumë e vështirë të shkojnë në botën e premtuar të rregullave" tha Vangjeli.