Revolucion tek Italia/ Baldini ‘fshin’ skuadrën pas turpit në Bosnje, vetëm katër lojtarë mbijetojnë
Silvio Baldini ka nisur zyrtarisht epokën e tij te Kombëtarja e Italisë me një revolucion të thellë.
Trajneri i përkohshëm i “Axurrëve” publikoi listën për ndeshjet miqësore të muajit qershor dhe, ashtu siç kishte paralajmëruar, ka zgjedhur t’i besojë masivisht talenteve të reja.
Pas katastrofës në Bosnje, Baldini ka bërë ndryshime drastike në skuadër. Nga grupi i futbollistëve që morën pjesë në atë humbje zhgënjyese, vetëm katër lojtarë kanë ruajtur vendin në ekipin kombëtar.
Bëhet fjalë për portierin Xhanluixhi Donaruma, Pisilin, Pio Espoziton dhe Palestrën, të cilët janë të vetmit “të mbijetuar” nga lista e mëparshme.
Lista e re përbëhet nga 24 futbollistë dhe dominohet nga elementë të rinj, me moshë mesatare vetëm 20 vjeç e 6 muaj. Ky vendim tregon qartë strategjinë e Baldinit për të ndërtuar një Itali të re, me fokus te talentet e së ardhmes.
Trajneri italian synon të krijojë një grup të freskët dhe më të uritur për rezultate, ndërsa tifozët presin të shohin reagimin e kombëtares pas periudhës së vështirë që ka kaluar.
Italia do të zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor. Fillimisht “Axurrët” do të përballen me Luksemburgun më 3 qershor, ndërsa më 7 qershor do të sfidojnë Greqinë.
Vendimet e Baldinit kanë shkaktuar debat të madh në Itali, por trajneri duket i vendosur të ndryshojë rrënjësisht fytyrën e kombëtares dhe të hapë një cikël të ri me lojtarë të rinj.