Një sqarim i thjeshtuar për IBAR-in, betejat e opozitës dhe ‘fitoret’ imagjinare të Ramës

Kur Bashkimi Evropian po përjetonte ndoshta krizën më të rëndë ekzistenciale në histori, e cila njihet edhe si kriza e madhe financiare e vitit 2008, kancelari i madh gjerman, Helmut Kohl publikoi një letër të shkurtër, por me vlera historike.

Shumëkush besonte se BE nuk do i mbijetonte kësaj krize, për shkak se në lojë ishin financat, dhe kur bie puna tek paratë, të gjithë dorëzohen.

Por Kohl u bëri të ditur evropianëve një fakt të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm.

Sipas tij, vërtet BE dukej sikur kishte nisur si një projekt ekonomik, por në thelb ishte një projekt paqeje.

Kohl nuk mund ta parashikonte se pas vdekjes së tij, një kërcënim tjetër i madh do i afrohej Evropës. Por njësoj siç thuhej në atë letër të hapur të Kohl, agresioni rus mbi Ukrainën tregoi se BE është një projekt paqeje, që synon të bashkojë kontinentit kundër të keqes.

Ndërsa Shqipëria përparoi në rrugën e saj të integrimit edhe përgjatë turbulencës më të vështirë në historinë e BE-së, asaj që nisi në vitin 2008, Edi Rama e bllokoi integrimin e Shqipërisë për më shumë se një dekadë pasi erdhi në pushtet.

Por ja ku dritarja u hap.

Momenti gjeopolitik i lindur nga konflikti në Ukrainë bëri që BE të bashkohej dhe të kujtohej se duhej të zgjerohej më shumë në Ballkan dhe jo vetëm.

Por Shqipëria e Edi Ramës sërish nuk plotësonte asnjë kusht për integrimin e vendit.

Nevoja për bashkim bëri që BE të hapte të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë. Pikërisht kur ishte koha për të kaluar raportin IBAR, që sinjalizon nisjen e mbylljes së kapitujve të negociatave, Edi Rama i plasi në fytyrë Brukselit vendimin për të mbrojtur Belinda Ballukun dhe veten e tij nga hetimet.

Vendet e BE reaguan me forcë, duke bllokuar fillimisht raportin e IBAR për të dhënë mesazhin e duhur politik për qeverinë e korruptuar të Edi Ramës. Çdokush që i di dy-tre gjëra nga integrimi e kupton se një raport i ndërmjetëm nuk mund të mbahet pafundësisht në sirtar.

Por më e rënda ndodhi. Raporti IBAR ndryshoi rrënjësisht dhe u shtua me një breshëri kushtesh.

Për të gjithë ata që thonë se opozita doli e humbur, duhet të kuptojnë se të gjitha kushtet e shtuara, që nga ato për korrupsionin dhe krimin e organizuar e deri tek nevoja për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, janë produkt i betejës së opozitës shqiptare.

Krahasimi i raporteve të IBAR e tregon qartë se për herë të parë Brukseli e njeh farsën elektorale të Edi Ramës dhe e quan korrupsionin e tij një problem kruçial.

Nesër Edi Rama do shkojë në Bruksel për të pozuar dhe për të ngarkuar ‘artilerinë’ e tij mediatike me mashtrime, propagandë dhe manipulime.

Por nuk ka asgjë për t’u quajtur fitore në këtë histori.

Dritarja gjeopolitike është aty e hapur, për fat të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe opozita ka treguar dhe po tregon se është e gatshme të bëjë gjithçka për integrimin e shqiptarëve në BE.

Kjo nuk është dobësi, por është forcë.

Sepse siç thoshte i ndjeri Helmut Kohl: Rregulli më i rëndësishëm i Evropës së re është ‘nuk duhet të ketë më kurrë dhunë në Evropë’.