Vedat Muriqi në garë me Mbappe dhe Yamal për ‘Lojtarin e Sezonit’ në Spanjë

Vedat Muriqi vazhdon të shkruajë histori në futbollin spanjoll. Sulmuesi i Kosovës është nominuar zyrtarisht për çmimin prestigjioz “Lojtari i Sezonit” në La Liga, duke u futur në një listë elitare së bashku me emra si Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe.

Pavarësisht sezonit të vështirë të Mallorcas, që përfundoi me rënien nga elita e futbollit spanjoll, Muriqi spikati me paraqitjet e tij fantastike dhe ndikimin në repartin ofensiv të skuadrës.

Bomberi kosovar ishte pika më e fortë e ekipit gjatë gjithë kampionatit dhe fitoi vlerësime të mëdha për performancat individuale.

Ndërkohë, favoriti kryesor për çmimin konsiderohet talenti i Barcelonës, Lamine Yamal.

Vetëm 18 vjeç, ai zhvilloi një sezon spektakolar duke realizuar 16 gola dhe 12 asistime në 28 ndeshje, duke udhëhequr katalanasit drejt rikthimit të titullit kampion në Spanjë.

Në garë është edhe Kylian Mbappe, i cili shkëlqeu me Real Madridin dhe e mbylli sezonin si golashënuesi më i mirë i La Ligës.

Lista plotësohet nga Pablo Fornals i Real Betisit dhe Nicolas Pepe i Villarrealit.

Prania e Muriqit në mesin e yjeve më të mëdhenj të kampionatit spanjoll konsiderohet një arritje e jashtëzakonshme për futbollin kosovar dhe një tjetër dëshmi e nivelit të lartë që sulmuesi ka treguar në vitet e fundit.